Editorial: Përballje por pa përbaltje publike

EDITORIAL

Të vjen keq  se dhe tani që po trokasim në portat e BE-së për negociatat, ende qeveritarët tanë nuk dinë apo nuk duan të veprojnë sipas standardeve perendimore dhe në ushtrimin më të thjeshtëpublik: deklarata, pohime dhe përgënjeshtrime në media në raste kritikash për aspekte të ndryshme të qeverisjes. Ta fillojmë nga më e thjeshta : ndonëse kudo ka zëdhënësa dhe zyra shtypi, ata shfaqen rrallë, për të mos thënë fare; sepse nuk u lenë rradhë shefat e tyre, të cilët kanë «  pushtojnë » mediat dhe rrjetet sociale dhe për gjërat më rutinore  24/24 orë!

Mbresa dhe më negative lenë përmbajtja e tyre; me 10 për qind profesionalizëm, ndërsa gjithë pjesa tjetër sulme me mllef, llum, baltë, batuta, rromuze dhe sharje me « libër shtëpie ». Në vend që të përmendet  realiteti me fakte për problemin konkret, i jepet «  dajak » personit dhe institucionit kritikues/qortues; i «  bombardojnë »me shifra  të disa viteve më parë, kur në pushtet ishte opozita e atëhershme. Aq sa krijohet përshtypja se më 2013 gjithçka ka filluar jo nga zero, por nga minusi !. Me idenë se po të mos ishin këta në 8 vitet e fundit, do të ishte bërë kataklizmoja !

Diçka tërësisht e pavërtetë dhe e papranueshme, se dhe më 1945 e  1992, kur u përmbysën sistemet politike ky vend trashëgoi vlera dhe gjëra të mira.

Dhe vazhdohet pastaj me propagandë të mërzitshme që  do t’ia kishte zili dhe ajo e kohës së monizmit; e jo vetëm në « ziafete e gajrete, por dhe në kiamete ». Si në rastin e përmbyteve të fundit, ku qeveritarët tanë, në vend të ndaleshin kryesisht te pasojat dhe masat që po merren, pse jo dhe me një sens autokritik pas gati 8 vite qeverisjeje, pretendojnë se demek ndonëse shirat ishin dy herë më shumë se 10 vjet më parë, dëmet na qenkërkeshin shumë  më të vogla e deri « në katin e parë  të shtëpive »! Pra, politizojmë dhe fatkeqësitë natyrore, për të nxjerrë dhe prej tyre« gështenja » elektorale !

Apo kur treguesit pozitivë ekonomikë i konsiderojnë  «  pronë dhe merita » të tyre, ndërsa dështimet ua lenë si « dopjo gjashtë » në dorë të kaluarës, opozitës, madje dhe BE-së !

E keqja tjetër e madhe është mungesa totale e etikës, gjuhës dhe mirësjelljes institucionale; ajo fillon duke iu drejtuar titullarëve të institucioneve më të larta, të opozitës, medias, etj jo me emrin e parë por me pseudonime përqeshëse e përbuzëse, siç ndodh rëndom. Kush ka qenë e jeton jashtë vendit e ka parë se në çdo rast atyre u drejtohen me funksionin që kanë:  Zoti President, Zoti Kryeministër, Zoti Drejtor, Zoti gazetar, etj.

Për fat të keq, kohët e fundit këto zakone të këqia po zbatohen dhe ndaj të huajve; jo vetëm si në rastin ndaj Ambasadës ruse në fund të vitit, por dhe aleatëve tanë strategjikë - Francës, BE-së, etj !Me demek se kushdo ka te drejtë të kritikojë këdo. Po, por kur je qeveritar e sidomos Kryeministër, ndryshe nga njerëzit e rrugës,  ti ke sa të duash kanale politike dhe diplomatike, ndaj nuk ka nevojë të dalësh për show e ca më keq për sherrnajë në publik.

Lind pyetja, po si duhet të përpilohen e artikulohen pohimet dhe përgënjeshtrimet zyrtare dhe partiake ?

Mjafton t’i referohemi modeleve të vendeve të BE-së dhe fqinjëve tanë. Fare thjesht, në rradhë të parë me «  frymë respekti» në çdo drejtim. Shkurt, pa epitete, emra, rromuze, ironi dhe referenca nga e kaluara ; jo për të poshtëruar kritikuesin apo kundërshtarin, as për të lartësuar me tepëri pushtetin ; thjesht për të treguar të vërtetën siç është, me të mirat dhe të metat e saj. Trego problemin, kritikën që bëhet, shpjego me fakte dhe argumenta gjendjen dhe pozicionin e qeverisë; trego vëmendje dhe  respekt ndaj kritikës dhe shqetësimit të shprehur, sado e « thartë dhe e hidhur » të jetë  dhe në fund trego konkretisht  për të ardhmen.

Shumë më tepër seriozitet do treguar  sidomos kur opozita del me  programe dhe alternativa politike; kursesi të stigmatizohet, përqeshet, nënvleftësohet, siç ndodh me eksponentët e shumicës sonë qeverisëse. Se kështu nuk e ngre, por e ul vehten. Me seriozitetin e qeveritarit,  trego respekt, përshëndet mendimin apo alternativën që shfaqet, mandej dhe pikat e dobta dhe epërsinë e programit qeverisës ; ama duke ia lënë elektoriatit të bëjë vlerësimin e jo « vetë Ali dhe vetë Kadi ». Ndryshe, çkuptim ka pluralizmi dhe vetë procesi zgjedhor, si shfaqje dhe konkurim alternativash !

Sa për gabimet e opozitës në të shkuarën në pushtet, për to elektorati e ka dhënë një ose dhe më shumë herë verdiktin dhe nuk mund të paragjykohet e ndëshkohet sërish për të njëtin gabim me idenë  «  se e kemi provuar më parë»

Po aq të gabuara dhe kryeneçe janë deklarimet e Kryeministrit në disa raste dhe ndaj BE-së se « nuk i lëviz  asnjë presje pohimeve të mëparshme » tipike për mentalitetin e monizmit. Demokracia karakterizohet nga toleranca, lëshimet, tërheqja dhe mirëkuptimi; ato nuk tregojnë dobësi, por forcë.

Gjithsesi le të shpresojmë, ca më tepër se jo gjithçka është bardhë e zi. Ka dhe shembuj pozitivë; do të veçonim Kryetarin e Kuvendit që shprehet përherë me gjuhë dhe etikë  institucionale, pranuese dhe bashkëpunuese ; po kështu, ministrja e Financave, e Jashtme,  e Kulturës e ndonjë tjetër.  E pafalshme ishte sjellja pa etikën e duhur e ish Ministrit të Brendshëm, edhe pse katolik dhe i shkolluar në perëndim ; për fat të mirë tablloja aty dhe te Policia e Shtetit ka ndryshuar me ardhjen e ministrit të ri, Zotit Çuçi.  Pra, kujdes, le të ketë sa më shumë përballje, por, me përmbajtje dhe pa përbaltje publike!/g.n

/argumentum.al

© Argumentum