Fjalimi i lamtumires/ Trump: "Krenar që jam presidenti i parë që nuk ka filluar asnjë luftë të re”

Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim lamtumire të bërë publik të martën, bëri thirrje për lutje për administratën e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, por nuk e përmendi emrin e pasardhësit të tij demokrat.

"Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë", tha presidenti republikan në video-mesazhin e tij. "Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme."

Në një video të postuar në YouTube, ai tha se mori “betejat e vështira, luftimet më të vështira … sepse për këtë, ju më zgjodhët të bëja”.

Trump ende nuk e ka pranuar plotësisht rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, të cilin ai e humbi ndaj demokratit Joe Biden, i cili do të betohet sot si president i SHBA.

Të martën vonë,  Trump urdhëroi ​​falje për reperët Lil Wayne dhe Kodak Black si dhe ish-kryetarin e Detroitit Kwame Kilpatrick.

Ai pritet të japë dhjetëra falje dhe zbritje dënimesh në orët e tij të fundit në zyrë, duke përfshirë ish-këshilltarin e tij Steve Bannon, sipas mediave amerikane.

Në prag të inaugurimit të tij, Biden udhëhoqi një homazh kombëtar për 400 000 amerikanët që kanë vdekur nga Covid-19.

Në perëndim të diellit të martën, 400 drita u ndezën përpara Memorialit të Linkolnit në Uashington DC për të nderuar ata që kanë humbur jetën për shkak të sëmundjes.

Dy javët e fundit të mandatit të zotit Trump janë dominuar nga pasojat e trazirave vdekjeprurëse në Capitol Hill, kur një turmë mbështetësish të tij sulmuan Kongresin, duke kërkuar të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve.

Dhuna politike është një sulm ndaj gjithçkaje që ne vlerësojmë si amerikanë. Ajo nuk mund të tolerohet kurrë”, tha Trump në videon e tij, në të cilën ai nuk e njohu pasardhësin e tij me emër.

“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë. Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme”.

Presidenti Trump vuri në dukje marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme, të ndërmjetësuara nga administrata e tij dhe lavdëroi agjendën e tij të politikës së jashtme.

“Ne ringjallëm aleancat tona dhe bashkuam kombet e botës për t’i bërë ballë Kinës si kurrë më parë. Unë jam veçanërisht krenar që jam presidenti i parë në dekada që nuk ka filluar asnjë luftë të re”, tha ai.