Gjermania jep 125 milionë euro për zhvillimin e qendrueshëm të Shqipërisë drejt standarteve të Bashkimit Europian

Më 27 janar 2021, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Belinda Balluku dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri z. Peter Zingraf nënshkruan tre marrëveshje qeveritare për bashkëpunimin financiar Gjermani-Shqipëri. Huatë kanë një shumë totale prej 125 milionë eurosh dhe fondet do të jepen nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW.

Marrëveshjet qeveritare do t’i hapin rrugën zbatimit të rehabilitimit të pjesëve elektromekanike (turbinave) të hidrocentralit të Fierzës, forcojnë zhvillimin e integruar rajonal dhe do të ngrenë themelet për Programin Sektorial për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta.

Programi Sektorial për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta (62 milionë euro) do të mbështesë transformimin e menaxhimit të mbetjeve në të gjithë vendin drejt standarteve të Bashkimit Europian (BE). Gjithashtu do të mbështesë investime për ndarjen, mbledhjen, kompostimin, trajtimin dhe largimin përfundimtar të mbetjeve dhe ç’është më e rëndësishme, programi do të ketë në fokus edhe parandalimin e mbetjeve. Ky program mbështetet nga KfW, BE dhe Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO).

Rehabilitimi i pjesëve elektromekanike (turbinave) të hidrocentralit të Fierzës (42 milionë euro) do të mbështesë një nga burimet më të rëndësishëm të energjisë të Shqipërisë dhe do të kontribuojë në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në rajon. Ky program mbështetet së bashku me Kornizën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Programi i zhvillimit rajonal (21 milionë euro) do të mbështesë zhvillimin ekonoimik, me një fokus në turizëm dhe nxitje të sektorit privat në rajonin bregdetar të jugut dhe atë të Korçë-Pogradecit. Qëllimi i programit është të krijojë perspektivë për më shumë punësim dhe rritje ekonomike në këto zona.

Në Shqipëri, KfW-ja zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shume totale prej mbi një miliard eurosh. Sektorët e menaxhimit të mbetjeve, energjisë dhe zhvillimit të qendrueshëm janë sectorë kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 623 milionë euro që nga viti 1988.

© Argumentum