Hapet kantieri i spitalit rajonal në Fier që do të ndërtohet nga Turqia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizituan vendin ku do të ndërtohet spitali në Fier, për të ndjekur ecurinë e zbatimit të këtij projekti.

Kryeministri Rama duke publikuar në rrjetet sociale videon nga vizita, shkruan se "Hapet kantieri i spitalit rajonal në Fier, ku do të punohet me tre turne dhe do të angazhohen në procesin e ndërtimit brenda 3 muajsh 1.200 forca pune".

Ministrja Manastirliu theksoi se e kanë përfunduar projektin për spitalin në fjalë. "Kemi përfunduar me Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë gjithë detajet teknike sa i përket pajisjeve dhe aparaturave. Tashmë do të kalojë marrëveshja në Këshillin e Ministrave, e cila përcakton gjithashtu dhe të gjithë detajet sa i përket mobilimit spitalor dhe pajisjeve mjekësore. Shërbimet janë përcaktuar nga ekspertët e të dy palëve dhe gjithashtu janë përcaktuar dhe modalitetet për administrimin dypalësh, duke përfshirë dhe ekipin turk që do të vijë për administrimin e spitalit", theksoi Manastirliu.

Ndërkohë, ministrja Balluku u shpreh se kanë përmbyllur edhe fazën e shpronësimit të familjeve. "Kemi nisur nga puna pasi kemi bërë punë përgatitore me të gjitha procedurat dhe lejet. Kemi përmbyllur dhe fazën e shpronësimit të 12 familjeve që ndodhen këtu, në bashkëpunim të plotë me Bashkinë e Fierit dhe janë treguar mjaft të mirë kuptueshëm", tha Balluku.

I pranishëm gjatë inspektimit ishte edhe Adnan Kovuk, përfaqësuesi i kompanisë YDA Group që do të realizojë punimet, i cili theksoi se do të realizojnë punimet në kohën më të shpejtë të mundshme. "Do veprojmë sa më shpejt dhe në mënyrë efikase", u shpreh Kovuk.

Ndërtimin e një spitali në Fier e premtoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Turqi.