Inagurimi i Biden, presidenti Trump shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Uashington

Presidenti Donald Trump, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Uashington, para ceremonisë së inaugurimit të Joe Biden, më 20 janar. Pas raportimeve nga FBI se ka rrezik për sulme në Uashington, por edhe qytete të tjera të vendit, presidenti, pas një takimi edhe me zëvendësin e tij, Mike Pence, vendosi me një urdhër ekzekutiv shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nga 11 janari deri më 24 janar.

Si pasojë, në rrugët e kryeqytetit amerikan kanë mbërritur qindra trupa të Gardës Kombëtare. Deri në fundjavë pritet që të kenë mbërritur deri në 6000 personel ushtarak, ndërsa Pentagoni po mendon ta rrisë këtë numër deri në 13 mijë. Një pjesë e tyre janë pozicionuar tashmë rreth godinës së Kongresit, të sulmuar nga mbështetësit e Trump. Godina është rrethuar me gardhe metalike, sikurse edhe Shtëpia e Bardhë. Për mbarëvajtjen e ceremonisë dhe shmangien e episodeve të dhunës po bashkëpunojnë autoritetet vendore në Uashington, por edhe agjenci të Departamentit të Drejtësisë.