Itali/ Matteo Renzi tërheq dy ministra, qeveria Conte në rrezik

Qeveria Conte rrezikon të bjerë, pas tërheqjes së dy ministrave, duke u futur kështu në krizë.
Mësohet se ish-kryeministri Matteo Renzi ka tërhequr dy ministra, pjesë e partisë “Italia Viva”, nga qeveria Conte.

Matteo Renzi ka njoftuar për të hequr ministrat Bellanova dhe Bonetti nga qeveria duke shpjeguar: “Për të dhënë dorëheqjen ju duhet guxim dhe një ndjenjë përgjegjësie”, ndërsa ka shtuar se; “Kriza nuk është hapur nga ne, ajo ishte e hapur prej muajsh”. Masa vjen pas “takimit të ndërmjetëm” midis Contes dhe Presidentit Mattarella, i cili theksoi “nevojën për të dalë shpejt nga kjo gjendje e pasigurisë” duke pasur parasysh “pandeminë”.

Në një konferencë për mediat, Renzi deklaroi se nuk do të votohet tani, por në 2023-in, duke lënë të nënkuptuar se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Teksa komentoi dorëheqjen e dy ministrave të tij ai tha se ata bënë një gjest të madh. Duke u ndalur tek kriza politike e shkaktuar tashmë në qeveri, Renzi tha se tashmë gjithçka varet nga qëndrimi i Contes.

“Është në varësi të kryeministrit. Ne jemi gati që të diskutojmë gjithçka. Nuk kemi asnjë paragjykim as për formulën dhe as për emrat”, tha Matteo Renzi para gazetarëve.

Ndërkohë që në ditët në vijim do të shihet nëse Conte do të arrijë të ketë përsëri maxhorancën, apo në këto kushte Italia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Siç raportojnë edhe mediat italiane, mes Renzit dhe Contes përplasjet kishin nisur disa javë më parë sa i takon menaxhimit të fondeve të BE lidhur me situatën e pandemisë së COVID-19. Ngelet për t’u parë në ditët në vijim nëse do të krijohet qeveria e Conte 3.