Maqedonia – fushëbeteja e nacionalizmit shqiptar

Maqedonia është vendi të cilin ideologët e nacionalizmit shqiptarë e kanë cilësuar si fushëbetejë mbi të cilën do të ngrihej shteti shqiptar. Kryengritjet e fillimit të shek. XIX bëjnë me dije për betejat e shpeshta të shqiptarëve në këtë vend. Shkupi ka qenë vend në të cilin shqiptarët aspironin ta themelonin kryeqytetin e tyre, kurse Manastiri ka hyrë në histori si kryeqyteti kulturor i shqiptarëve.

 Daut DAUTI, Londër

Maqedonia është vendi të cilin ideologët e nacionalizmit shqiptarë e kanë cilësuar si fushëbetejë mbi të cilën do të ngrihej shteti shqiptar. Kryengritjet e fillimit të shek. XIX bëjnë me dije për betejat e shpeshta të shqiptarëve në këtë vend. Shkupi ka qenë vend në të cilin shqiptarët aspironin ta themelonin kryeqytetin e tyre, kurse Manastiri ka hyrë në histori si kryeqyteti kulturor i shqiptarëve.

Nga Shën Stefani deri në LDB

Megjithatë, Maqedonia në fushën ndërkombëtare ose në sferën e diplomacisë, si problem, është inciuar nga Bullgaria. Problemi ka filluar me kishën, ashtu siç ndodhë me të gjitha vendet ortodokse kur e nisin procesin e pavarësimit. Zanafillën e problemit të sotëm të Maqedonisë ose, më saktësisht, mes bullgarëve dhe maqedonëve, duhet kërkuar në vendimet e Shën Stefanit (mars 1878) me ç’rast Rusia e detyroi Perandorinë Otomane që ta nënshkruante një marrëveshje për krijimin e shtetit autonom bullgar, i cili përfshinte jo vetëm Maqedoninë, por edhe një pjesë të Shqipërisë dhe Kosovës së sotme. Ky ishte një plan që nuk do ta pranonin shqiptarët dhe, në fakt, ishte arsyeja që ndikoi në zgjimin dhe mobilizimin e nacionalizmit shqiptar.

Planin e Shën Stefanit nuk e pranuan as shumica e fuqive evropiane, sidomos Britania e Madhe, e cila e hodhi poshtë menjëherë këtë marrëveshje dhe mori iniciativë për organizimin e një kongresi të mirëfilltë që pas disa muajve u mbajt në Berlin. Megjithatë, Kongresi i Berlinit, edhe pse nuk e lejoi krijimin e një Bullgarie të madhe që shihej si dorë e zgjatur e Rusisë, i komplikoi gjërat edhe më shumë. Në Berlin çështja shqiptare u injorua, u shtyp ideja e një Bullgarie të madhe, kurse Serbisë dhe Greqisë iu bë me dije se në të ardhmen ato mund të zgjeroheshin në drejtim të Maqedonisë. Pra, e keqja e Berlinit nuk qëndronte vetëm në faktin e zhvlerësimit të nacionalizmit bullgar dhe injorimit të atij shqiptar, por më shumë qëndronte në faktin se Fuqitë e Mëdha i ushqyen shpresat e nacionalizmit agresiv të Serbisë dhe Greqisë.

Kjo ishte arsyeja që pas Kongresit të Berlinit personalitetet shqiptare e shtuan aktivitetin e tyre në Maqedoni dhe disa prej tyre u vendosën në Bullgari, nga ku vepruan. Dhe, në fillim të shek. XX, Maqedonia u bë vatra kryesore e krizës në Evropë, sipas së cilës u krijua zhargoni “kriza ballkanike”. Kjo krizë u zgjerua pas Kryengritjes së Ilindenit (1903), në të cilën ata që ndjeheshin maqedonë dhe shqiptarët dhanë shenja se ishin të interesuar që të krijonin një shtet të përbashkët. Por, shteti i përbashkët nuk ishte në planin e Fuqive të Mëdha, e as të fqinjëve. Për këtë arsye, serbët, grekët dhe bullgarët filluan të dërgonin “misionarë” në Maqedoni, t’i armatosnin çetat e tyre përkatëse dhe me sulme të armatosura të krijonin përparësi politike në terren. Njëkohësisht u angazhuan që ta ngrinin vetëdijen nacionaliste të këtyre grupeve të popujve në Maqedoni. Kështu u zgjerua kriza dhe këto grupe, gjatë viteve të ardhshme, më shumë u angazhuan që të luftonin mes veti sesa ka kundër pushtetit otoman.

Gjatë përleshjeve dhe sidomos pas Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, ideja e maqedonizmit u zhduk, kurse ajo shqiptare u dëmtua shumë, pasi që ndaj saj nuk u aplikua parimi etnik kur u krijua shteti shqiptar. Megjithatë, Maqedonia vazhdoi të ishte vatër e krizave për shkak se ajo u nda kryesisht nga serbët dhe grekët, të cilët më së paku meritonin të merrnin toka të kësaj hapësire për shkak se aty nuk kishin njerëz të përkatësive të tyre etnike. Kjo ishte arsyeja që shqiptarët dhe bullgarët e konsideruan veten të lënë jashtë lojës dhe mes tyre lindi një aleancë mjaft e natyrshme. Në këtë periudhë, sikur të ekzistonin rrethanat e volitshme, d.m.th. sikur të lejonin Fuqitë e Mëdha, ndarja e Maqedonisë mes shqiptarëve dhe bullgarëve do të ishte opsioni me real, pasi që do t’i kënaqte të dy palët dhe do t’i kishte shafitur tendencat megalomane greke dhe serbe.

Tito dhe Maqedonia e re

Pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim që të kontrollohej nacionalizmi serb dhe të shtypej ai shqiptar, Tito e krijoi Republikën e Maqedonisë. Kjo krijesë ishte sinjal që iu dërgua edhe Bullgarisë dhe Greqisë për t’ua bëre me dije që të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre. Me këtë u krijua kombi maqedon, por nuk u zhdukën problemet. Shteti dhe kombi maqedon i trashëgoi problemet e natyrës etnike dhe po krijohej ose zhvillohej mbi një bazë të papranueshme të urrejtjes kundër shqiptarëve dhe bullgarëve. Urrejtja e maqedonëve kundër bullgarëve është ngritur mbi bazën që ky popull ose komb i ri nuk dallon shumë nga bullgarët, kurse ndaj shqiptarëve bëhet për arsye të kundërt: për shkak se dallojnë shumë.

Gjatë Jugosllavisë, regjimi komunist i Titos, në një masë të madhe, ka pasur sukses që problemin e Maqedonisë ta mbajë si çështje të brendshme. Me rënien e komunizmit dhe zhbërjen e federatës jugosllave Maqedonia u pavarësua, por sërish doli në sipërfaqe aspekti i problemit ndërkombëtar. Greqia, e cila më së paku kishte arsye në paraqitjen e kërkesave të saja, për shkak të emrit e zhagiti me dekada njohjen e këtij vendi dhe me të pengoi edhe procesin e integrimit rajonal dhe euro-atlantik. Problemi me shqiptarët ishte aq i madh, saqë kulminoi me luftë. Edhe pse ndodhi lufta, që përfundoi me marrëveshje, maqedonët ende nuk tregojnë gatishmëri për ta pranuar realitetin që e imponon prezenca substanciale e shqiptarëve në këtë vend.

Shqiptarët dhe Maqedonia

Për shqiptarët Maqedonia vazhdon të jetë interes madhor kombëtar. Kosova, me dekada, konsiderohet si problemi më i madh i Ballkanit, por në esencë nuk është problem më i madh se Maqedonia. Në prapavijë të problemit të Kosovës qëndron çështja e Maqedonisë që nga dështimi i Kongresit të Berlinit e deri më sot. Zgjidhja e përfundimtare e problemit shqiptar në Ballkan varet nga pozita e shqiptarëve në Maqedoni, të cilët deri sot kanë luajtur rol pozitiv në ruajtjen e integritetit të këtij shteti përkundër faktit që nuk cilësohen e as nuk vlerësohen sa dhe si duhet. Shqiptarët deri tashti kanë vepruar konform këshillave ndërkombëtare. Dihet që vazhdimësia e ekzistimit të Maqedonisë është imponuar më shumë si interes ndërkombëtar sesa dëshirë për jetë të përbashkët mes shqiptarëve dhe maqedonëve. Pra, Maqedonia deri sot ka ekzistuar falë insistimit të ndërkombëtarëve. Kjo është për shkak se destabilizimi i këtij vendi sjell konfliktin për ndarjen e territorit të saj dhe, si rezultat, edhe frikën e ndërkombëtarëve që buron në paaftësinë dhe jo gatishmërinë e tyre për t’u marrë me pasojat. Prandaj, kjo është arsyeja e cila çdo ditë përsëritet, duke thënë se ekzistenca e këtij vendi varet nga shqiptarët, më gjegjësisht nga barazia e tyre me maqedonët.

Brengat e gjuhës dhe historisë që Bullgaria ka shfaqur kohëve të fundit ndaj Maqedonisë, janë mjaft legjitime. Janë çështje që duhet të zgjidhen, pasi që Bullgaria ka mundësi të ndikojë, njësoj si Greqia, në vonimin e procesit të integrimit evropian. Në mosmarrëveshjen mes bullgarëve dhe maqedonëve, shqiptarët duhet të qëndrojnë anash, ashtu siç kanë qëndruar deri sot. Por, dihet që simpatia e shqiptarëve qëndron në anën e bullgarëve. Ndoshta për ata që nuk e njohin situatën kjo gjë tingëllon paradoksale. Nuk ka se si të jetë ndryshe kur maqedonët vazhdojnë të shprehin urrejtjet për shqiptarët dhe bullgarët. Sidomos, kur dihet që kjo urrejtje ushqehet dhe orkestrohet nga Serbia, që është një vend për të cilin bullgarët dhe shqiptarët nuk kanë kujtime të mira./Shenja