Nis takimi Putin-Aliyev-Pashinyan në Moskë në lidhje me Malësinë e Karabakut

Presidenti rus tha se hapat e ndërmjetësimit të Rusisë kishin për qëllim sigurimin e një armëpushimi të qëndrueshëm, duke theksuar se armëpushimi tashmë i arritur midis dy vendeve po zbatohet në mënyrë stabile

Në kryeqytetin rus Moskë ka filluar takimi në lidhje me rajonin e Malësisë së Karabakut midis presidentit pritës Vladimir Putin, presidentit azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministrit armen Nikoll Pashinyan, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë para fillimit të takimit trepalësh në Pallatin e Kremlinit, Putin falënderoi Aliyev-in dhe Pashinyan-in për ardhjen në Moskë.

Presidenti rus tha se hapat e ndërmjetësimit të Rusisë kishin për qëllim sigurimin e një armëpushimi të qëndrueshëm, duke theksuar se armëpushimi tashmë i arritur midis dy vendeve po zbatohet në mënyrë stabile.

"Me të gjitha hapat e saj, Rusia përpiqet t’i ndjekë parimet themelore të specifikuara në Grupin e Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ne këshillohemi me partnerët tanë vazhdimisht për hapat që i marrim", tha Putin.

Ai theksoi rëndësinë e definimit të vijave të marrëveshjes së arritur më 10 nëntor 2020 mbi Malësinë e Karabakut.

"E kam fjalën për çështjet që lidhen me aktivitetet e paqeruajtësve rusë, definimin e vijave kufitare, zgjidhjen e problemeve humanitare, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Veçanërisht çështja e lidhjeve ekonomike, tregtare dhe të transportit dhe hapja e kufijve kanë një rëndësi të madhe", deklaroi presidenti rus.