Olta Xhaçka merr detyrën si ministre e Jashtme: Do të krijoj menjëherë një grup pune me ambasadorë

Olta Xhaçka ka marrë sot detyrën si ministre e Punëve të Jashtme. Në një konferencë për mediat, ku ishte i pranishëm ministri në detyrë, Gent Cakaj, i cili dorëzoi detyrën dhe kryeministri Edi Rama, Xhaçka premtoi se do të çojë më tej punën e bërë prej tyre.

Ministrja premtoi se do të ngrejë menjëherë një grup pune me ambasadorët më me përvojë për të piketuar një serë hapash të mëtejshëm në reformimin e shërbimit diplomatik.

“Kryeministër, Genti, nuk do të jetë e lehtë, t’ju zëvendësoj të dyve njëheri në drejtimin e politikës së jashtme! Nga ana tjetër, jam shumë e vetëdijshme, që puna që ju keni bërë, e bën punën time këtu më të lehtë. Sepse nuk do të më duhet të rishpik rrotën apo të nis çdo gjë nga zero. Përkundrazi.

Megjithatë një gjë dua ta bëj shume të qartë. Puna nuk është asnjëherë mjaft dhe unë nuk do të mjaftohem me atë që është berë apo që vartesit e mi janë mësuar të bëjnë. Unë dua më shumë, nga të gjithë, duke nisur nga vetja ime. Dhe parimi im në drejtimin e dikasterit është sa më lart në pozicion aq më shumë energji dhe orë pune në dispozicion të institucionit nga secili e secila.

Aq sa eksperienca e madhe është një aset i vyer në një institucion si ky, po aq rutina është një problem i madh kur duhen kapërcyer barriera të reja e duhen bërë pune të reja, siç është edhe puna me integrimin europian për shembull. Dhe në këtë drejtim, që është edhe prioriteti ynë nr 1, jam e kënaqur që puna ka qene intensive. Kryenegociatori duhet të marre jo vetëm përgjegjësinë që e ka marrë, po edhe mbështetjen e plotë nga zinxhiri i punës me integrimin në këtë ministri, duke u koordinuar prej tij dhe duke u përgjigjur para tij.

Cakaj dorëzon ministrinë tek Xhaçka: Për mua ka qenë një ëndërr historike

Rritja sasiore e cilësore përmes digjitalizimit të shërbimeve për shqiptarët jashtë atdheut duhet të vazhdoje me ritme te larta. Askush nuk duhet të ndjehet i lënë pasdore dhe ndodhitë e zvarritjes së qytetarëve para disa kohesh në konsullaten tonë ne Selanik apo në ambasadën tonë në Athine, jo vetëm nuk duhet te përseriten po duhet të mos harrohen asnjëherë si mësim i madh për shërbimin tone konsullor.

Unë do te krijoj menjëherë një grup pune me ambasadoret me më shume përvoje për të piketuar një serë hapash të mëtejshëm në reformimin e shërbimit tonë diplomatik dhe do t’ju ftoj të gjithëve te jepni idetë tuaja”, tha Xhaçka.

Ajo shtoi më tej se kjo ministri duhet të shkëlqejë më tej, sipas saj ashtu siç shkëlqeu Shqipëria në drejtimin e OSBE. “Kjo ministri duhet të shkëlqejë ne çdo drejtim, sepse është shëmbëlltyra e shtetit shqiptar në sytë e te huajve dhe te shqiptarëve jashtë kufijve. Shkëlqimi i Shqipërisë në krye të OSBE është një mësim i madh për sa shume mund të bëjmë nëse organizohemi si duhet, nëse koordinohemi si duhet, nëse performojmë si duhet. I njëjtë duhet të jetë edhe shkëlqimi në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria do të ulet për herë të parë në historinë e saj pas një viti dhe siç kuptoj nuk kemi me asnjë ditë për të humbur me përgatitjet për të shkëlqyer ne atë mision kaq të vështirë, delikat e historik për Shqipërinë në OKB”, deklaroi Xhaçka.