Pesë skenarë dhe sugjerime për negociatat

Nga Dr. Jorgji KOTE

Me gjithë pritshmëritë dhe demarshet e njohura, çelja e negociatave të anëtarësimit në BE na u shty sërish, madje pa një “Kur” më 2021. Gjithsesi, tani rëndësi ka realizimi i këtij objektivi madhor. Veçse ndryshe nga 2020, këtë vit ballafaqohemi me sfida dhe specifika politike jo të favorshme. Në tri vendet më me peshë për çeljen e negociatave do të ketë zgjedhje të reja: në mars, Rajonalet në Francë dhe Parlamentaret në Holandë; nga shkurti e në vazhdim në 6 nga 16 lande dhe në shtator zgjedhjet e reja parlamentare në Gjermani dhe largimi i Kancelares Merkel. Dihet se Ballkani, e posaçërisht vendi ynë me problematikat e brendshme, por sidomos me azilin dhe emigrimin e paligjshëm drejt këtyre vendeve janë tema të ndjeshme; veçanërisht për partitë ekstremiste që duan të shtojnë kuotat elektorale, madje të vijnë dhe në pushtet.

Këto situata e bëjnë dhe më të nevojshme njohjen dhe ndjekjen intensive të skenarëve përkatës; me qëllim që Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mblidhet brenda gjysmës së parë të këtij viti, çka do të shënonte dhe çeljen praktike të negociatave. Këtu po flas dhe me avantazhin që më japin 15 vite diplomatike pune në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel dhe në Berlin qysh me lançimin e këtij procesi më 1997 e në vazhdim.

Le ta sqarojmë qysh në fillim se vendimi për çeljen e negociatave merret nga Këshilli/Samiti i BE-së, mbi bazën e propozimit të ministrave të Jashtëm dhe Ambasadorëve të Vendeve Anëtare të BE-së. Ndërsa për Gjermaninë dhe Holandën vendosin përfundimisht parlamentet e tyre. Si përherë dhe këtë vit ky Këshill do mblidhet në seanca zyrtare katër herë.

Samiti i parë i BE-së do të jetë më 25/26 mars 2021. Me gjithë dëshirën e mirë, do të jetë tejet e vështirë të kemi një “Po” sepse: së pari, nëse për Maqedoninë e Veriut nuk do të ketë konsensus, edhe sikur të përkryer të jemi, mund të “digjemi” dhe ne; fati i saj do të na ndjekë deri në fund, dhe si “çift integrues”. Ca më tepër po të mos kemi plotësuar kushtet e njohura e të përditësuara, p.sh. vendimi i Kushtetueses mbi zgjedhjet e 30 qershorit etj. Së dyti dhe kryesorja, mund të dalin si pengesë procedurale për BE-në zgjedhjet e 25 prillit. Në fakt, ajo asnjëherë nuk ka ndërmarrë vendime të kësaj natyre në prag zgjedhjesh. Jo vetëm pse mund të shihen si mbështetje/favorizim i qeverisë, por edhe sepse ecuria e 25 prillit sipas standardeve ndërkombëtare është kusht madhor që natyrshëm del në plan të parë. Kësisoj, Samiti në fjalë ka shumë më tepër gjasa të “na mbajë me gajret” me një formulim të përgjithshëm, duke theksuar zgjedhjet e 25 prillit si vendimtare edhe për çeljen e negociatave. Ca më tepër se janë dhe zgjedhjet në Francë e Holandë. Ndaj, ka shumë gjasa që këtë vendim ta marrë Samiti tjetër i BE-së (24/25 qershor). Por, vetëm nëse zgjedhjet e 25 prillit të jenë certifikuar nga faktori ndërkombëtar, të jenë njohur nga opozita dhe të ketë një qeveri apo koalicion qeveritar funksional, me premtime të besueshme dhe për negociatat. Ndryshe, nëse procesi zgjedhor do jetë me tensione dhe problematika, këto procedura mund të vështirësohen; çka do ndikonte në një ‘Jo’ ose shtyrje të mëtejshme të negociatave. Këtu është e rëndësishme të theksohet që, nëse deri në qershor/korrik nuk do të jenë çelur negociatat, atëherë do të dalë edhe më e nevojshme krijimi i një klimë e re pozitive dhe bashkëpunuese politike me opozitën e re në vend; që të bindë BE, sepse dialogu politik do të dalë në rend të ditës.

Nëse gjithçka do të ketë ecur mirë, nëse qeveria do ketë filluar punë dhe politika shqiptare e të dyja krahëve nuk do të ketë nxjerrë “yçkla” të tjera brenda dhe jashtë vendit, atëherë Samiti i BE-së më 14/15 tetor do të vendosë çeljen e negociatave në nëntor. Problem mund të paraqesë Gjermania, ku më 27 shtator do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare me të panjohurat e tyre. Skenari i katërt është që gjithçka t’i lihet Samitit më 16/17 dhjetor, duke i çelur negociatat brenda atij muaji apo qoftë dhe në janar 2022. Skenari i pestë dhe më i padëshirueshmi, por me pak gjasa, që dhe vetë BE-ja nuk do ta donte, mbasi humbiste besueshmërinë e saj është vendimi negativ ose shtyrja e negociatave, pas marsit 2022. Gjithsesi, të mos habitemi, politika në 30 vitet e fundit ka prodhuar shumë çudira të tilla!

Këta skenarë të mundshëm i përmendëm se mbi bazën e tyre mund të ripërcaktohen hapa dhe veprime konkrete, në përputhje me strategjinë tonë politiko-diplomatike. Ja një rikapitullim i këtyre sugjerimeve, të cilat më hollësisht i kemi shtjelluar në shkrimet e mëparshme:

Së pari, të vlerësohen drejt kushtet, si dinamikë e jo statike. Ripërsërisim se tani dalin në plan të parë zgjedhjet e 25 prillit, pa lënë pas dore luftën kundër krimit, korrupsionit etj. Ndaj të mos habitemi e t’i quajmë kushte të reja shtesë, por t’u dalim punëve përpara. Së dyti, kuptimi dhe vlerësimi i drejtë i BE-së, që përfshin: në aspektin supranacional Komisionin dhe Europarlamentin, dhe në atë ndërqeveritar e që po bëhet mbizotërues te 27 vendet antare, ku dhe më i vogli të “bën gjëmën”. Bllokimi nga Bullgaria i Maqedonisë së Veriut tregoi qartë se “miku”, presioni dhe lobimi, qoftë dhe nga më i “madhi”, nuk bën më punë. Ca më pak te Holanda, Danimarka dhe vende të tjera.

Së treti, të hiqet dorë nga fabula e gabuar se “i kemi kryer detyrat”, se “vetëm presin kur të na thërrasin”, se pengesë janë “dinamikat e brendshme jashtë vendit”, që qeveritarët tanë e kanë “në majë të gjuhës”. Për fat të keq, në këto pozita ka rënë së fundi dhe kryenegociatori Mazi. Kur nga njëra anë pretendon se janë kryer “detyrat e shtëpisë” dhe janë plotësuar 5 kushtet, dhe pse në fakt janë 15 bashkë me ato të Kornizës paraprake Negociuese; nga ana tjetër pohon se “topi është në fushën tonë”. Tani, o njëra o tjetra, të dyja bashkë nuk shkojnë! Me këtë rast dashamirësisht do t’i sugjeronim që të tregohet më i kujdesshëm dhe i kursyer në prononcimet politike dhe publike që kapërcejnë “sinoret” e mandatit të tij teknik. Ndryshe ato mund t’i cenojnë besueshmërinë dhe ta futin në “konflikt interesi” përpara se të çelen negociatat e më tej!

Së katërti, ta fillojmë këtë ofensivë të re me një paradigmë cilësisht të re të përqasjes dhe qëndrimeve tona, sidomos ndaj vendeve skeptike, qeverive dhe deputetëve të tyre. Boll më me diversione, me gjuhën e drunjtë, me insinuata e stigmatizime dhe ndaj eurodeputetëve; apo ca më keq me qortimet tona më të fundit ndaj BE-së dhe Francës në publik; kur kemi aq shumë kanale diplomatike në Tiranë, Bruksel dhe Paris; të kemi qasje pranuese, pozitive, jo “majë më majë”, sepse siç thotë populli, “Uthulla e fortë prish enën e vet”. Shqip, jemi të vegjël për të sulmuar BE-në; sidomos kur kryeqeveritari ynë ka pohuar se jemi “lypsarë të klasit të parë”. Ndaj, më mirë sipas parimit “Urtë e butë e plot tiganin”.

Veç kësaj, nuk mjaftojnë mbledhjet dhe debatet në Komitetin e Integrimit, takimet e niveleve të larta dhe “bombardime me shifra statistikore”. Kërkohen hapa, qëndrime dhe rezultate të prekshme e të përditshme. Sfida kryesore është ndryshimi i perceptimit publik dhe imazhit tonë në disa vende skeptike, nëpërmjet politikës, diplomacisë zyrtare, parlamentare, ekonomike, publike, kulturore etj.

Së pesti, duke u dhënë përparësi vendeve euroskeptike, të mos lihen pas dore të tjerët dhe detyrimet e ndërsjella; se, ku i dihet, surpriza të pakëndshme mund të krijojë dhe një vend që nuk ta pret mendja./gsh