Reagim i munguar për darkën e gabuar!

Nga Dr. Jorgji KOTE 

Më 9 Janar, Dukesha Catherinë, aq e dashur për britanikët dhe publikun botëror kishte 39 vjetorin e lindjes.  Kurreshtja ishte e madhe se si, ku e kur do ta festonte këtë datë të shënuar  Mbretëresha e ardhëshme, të cilës nuk i mungon asgjë. Ajo e kaloi atë përvjetor si asnjëherë tjetër në shtëpi, me Çaj dhe ëmbëlsira të përgatitura si dhuratë nga fëmijtë e saj të vegjël me ndihmën e bashkëshortit, Princit William! Ajo theksoi se në kushtet e pandemisë askush nuk mund të festojë më si më parë; madje, shumicën e mbrëmjes, Dukesha e kaloi duke nderuar me mesazhe të gjithë ata që kanë kontribuar në luftën kundër COVID – 19! Çfarë dhuratë e bukur mbretërore për pubikun !

Çfarë kontrasti  kur sheh «  detin «  e kritikave, indinjatës, memeve dhe sarkazmave të ligjshme që shkaktoi darka ultraluksoze e disa qeveritarëve shqiptarë  në restaurantin më të shtrenjtë «  Nusret » në Dubaj ; ku një biftek në pjatë të artë kushton deri në1200 Euro! Po, ishte darkë e gabuar, në kohën dhe vendin  e gabuar; ca më keq me mesazhe të  gabuara; kur, si të mos mjaftonte korona, vendi ishte nën sundimin e ujit gjithandej, kur me mijra familje nuk kanë me se të ushqejnë fëmijtë  dhe po marrin rrugën e kurbetit.

Mirëpo, dhe më i gabuar ishte qëndrimi i Kryeministrit Rama, si përherë me justifikime për qeverinë, se demek ishte pjesë e punës e dokra të tjera. Shumë pak bindëse kur nuk na u dha qoftë dhe  një pamje nga negociatat, mbasi bëhet fjalë për një investim goxha të madh dhe problematik. Ku është transparenca publike, ndonëse në darkë ishte dhe vetë drejtori i komunikimit kryeministror! Qesharake dhe pretendimet e  ndonjerit që gati sa nuk e quajti heroizëm vajtjen në Dubai dhe vetë darkën !

Nuk pi fare ujë as argumenti se  faturën e kripur e pagoi mikpritësi që gjithsesi nuk ishte i pranishëm. Mesazhi i gabuar që u dha në Dubaj  mund të ketë ndodhur shumë rrallë me qeveritarë të tjerë perendimorë. Por dhe në atë rast janë mbajtur qëndrime  me ndjesë publike dhe sanksionet përkatëse.  Për të qenë më konkretë, më poshtë po përmendim 4 raste të spikatura që dëshmojnë se dhe në këtë aspekt jemi « si nata me ditën » me Europën ku duam të shkojmë.

Në njëjtin lokal elitar  «  Nusret » darkoi fiks dy vjet më parë, me një  biftek të artë, futbollisti legendar i « Bayern »  F. Ribery.  Por, ai u befasua nga reagimet e tejskajshme, megjithë simpatinë e madhe që gëzonte te tifozët. E « trashi zullumin » dhe më shumë kur u justifikua se ishte me pushime dhe se biftekun e kishte paguar me paratë e  veta. Atëhere i thanë se nëse kishte lekë të tepërta, ato mund fare mirë  t’i shpenzonte për qëllime shumë më të dobishme e të hijshme. Ribery u detyrua të mbante qëndrim me ndjesë publike, por nuk i shpëtoi dot pezullimit  për tri ndeshje. Kini parasysh që bëhet fjalë për «  Bayern «  ndër klubet më të pasur të botës!

Të kundërtën bëri Kancelarja gjermane Merkel në shkurt 2016 kur, gjatë një pushimi në një Samit të BE-së në Bruksel, parapëlqeu të dilte jashtë selisë së BE-së e të mbante rradhë në kioskën e thjeshtë e të njohur «Maison Antoine » që ofon frite karakteristike belge, e shoqëruar vetëm nga truprojet! Natyrisht që fotoja bëri xhiron e botës, edhe pse modestia e saj është emblematike !

Ditët e fundit, në Holandë sondazhet flasin për rënien e ndjeshme nën 50 për qind të popullaritetit të Çiftit Mbretëror nga 75 për qind që ka qenë vitet e fundit. Shkaku kryesor është se disa javë më parë ata ishin parë në një shetitje me jahtin e tyre privat me vlerë 2 milionë Euro. Mirëpo, një pamje e tillë kur të tjerët janë në hall, fukarallëk dhe në karantinë nuk ndikon për mirë në «  moralin «  e trupave. Po ashtu, në shtator, në kohën e pandemisë,  ata shkuan me fëmijtë për pushime në Greqi, ku kanë vilën e tyre luksoze.  Por, u detyruan të kthehen menjëherë pas reagimeve negative dhe indinjatës së popullsisë, ndonëse kishin marrë leje nga Kryeministri. Jo vetëm aq, por sapo u kthye nga Greqia, Mbreti Willem Alexander  doli në televizion dhe kërkoi ndjesë për atë veprim, çka e përsëriti indirekt dhe në mesazhin e për Vitin e Ri. Tani, kur ndodh kështu në vende shumë më të zhvilluara e demokratike, imagjinoni jehonën e tyre në Shqipëri!

Rasti tjetër ka të bëjë me këngëtaren dhe moderatoren e njohur 27 vjeçare austriake, shumë e dashur dhe për publikun gjerman, Vittore Swarovski, trashëgimtare e firmës së njohur në botë. Gjatë pushimeve verore, ajo  nxorri në instagram një foto me tezen e saj ulur mbi bar, në një kodër sipër shtëpisë  në Insbruk. Por, ajo nuk e dinte se atë ditë kjo firmë kishte larguar nga puna 180 punonjës, për shkak të pandemisë. Ndaj, veç  shumë postimeve pozitive për atë foto fare të thjeshtë e të zakonshme fshati, pati dhe jo pak reagime negative ; kritikët i thonin se si mund të ndihej e kënaqur me tezen atë ditë fatkeqe. Moderatorja simpatike me shumë përulësi dhe fisnikëri pa e zgjatur fare, kërkoi ndjesë, shprehu keqardhjen për  të larguarit nga puna, ndonëse ajo nuk kishte asnjë lloj kompetence në kompani dhe e fshiu menjëherë foton.

Këto fakte mjaftojnë për të treguar se reagimi i Kryeministrit Rama ishte i vonuar, i mangët dhe jo bindës. Ai dhe protagonistët e asaj darke të shëmtuar duhet të tregonin mirëkuptim, duke ndarë shqetësimin publik  që ajo krijoi me mesazhet e saj të turpshme, me premtimin se nuk do përsëriten më dukuri të tilla, ku nuk ka as etikë e as moral. Pak rëndësi ka si kanë vepruar paraardhësit e tij dhe politikanë të opozitës; në fund të fundit,  elektorati i ka rrëzuar ata me votë dy herë. Problemi tani është sjellja e qeverisë Rama dhe Rilindjes. Sa për faturën e biftekut, nëse nuk do ta shlyente mikpritësi, Rama i pari duhej t’ia mbathte vrapit  nga sytë këmbët.

Së fundi, ndonëse Rilindja dhe  Rama shquhen për inskenime dhe spektakle, ajo darkë në Dubai ishte katastrofë për imazhin dhee marrëdhëniet me publikun ; efektet e saj negative nuk i riparon dot asnjë vaksina dhe vitaminë, qoftë dhe kryeministrore! Të tjerat janë pesë me hiç !