RMV drejt legalizimit të kanabisit/ Zaev: Nxit rritjen ekonomike

Në Maqedoninë e Veriut së fundmi po trumbetohet ideja për legalizimin e marijuanës për përdorim personal mjekësor dhe rekreativ. Idenë madje e mbështetë kryeministri Zoran Zaev i cili disa ditë më parë madje tha se propozimi i tyre në formë ligjore, do të jetë që secili qytetar në shtëpinë e tij të mund të mbjellë dy deri në tri rrënjë kanabisi.

Iniciativa ka në thelb të nxisë rritjen ekonomike. Organizata që mbron legalizimin e kanabisit për nevoja personale, është entuziaste për këtë ide, por nga ana tjetër ka frikëse pas këtij legalizimi do të  fshihen taksa të larta të cilat megjithatë do t’i dekurajojnë qytetarët që të përdorin kanabisin.

“Kritikat ndaj legalizimit të kanabisit janë për shkak të një stigmatizimi më të gjatë 70 deri 80 vjeçarë se gjoja kjo është ndonjë drogë e rrezikshme. Kjo nuk është e vërtetë por nuk do të doja të bëj më shumë koment për këtë qasje. Sa i përket kontrollit këtë do duhet ta mendojë shteti, ndërsa ne propozojmë që të ketë regjistrim në një agjenci për kanabis dhe të ketë inspektime të vazhdueshme. Por, sigurisht se duhet të mendohet mirë sepse nuk guxon të cenohet paprekshmëria e shtëpisë që është një kategori kushtetuese”, shprehet Janaki Mitrevski, shoqata për legalizimin e kanabisit “Bima”.

Por, vetëm kryeministri dhe shoqatat për legalizimin e kanabisit janë pro kësaj iniciativë. Partitë politike në opozitë, por edhe partia shqiptare në pushtet, janë kundër një ligji që do të legalizonte kanabisin për përdorim personal.

“Për neve është i papranueshëm një propozim i tillë pasi që ne nuk guxojmë ta bazojmë zhvillimin tonë ekonomik mbi bimë të tilla që kanë kosto të madhe sociale, humane, shëndetësore, dhe nëse i vendosim në peshore përfitimet eventuale dhe kostot eventuale, kostot janë shumë të mëdha sa i takon shëndetit të qytetarëve, shëndetit të shoqërisë në përgjithësi, dhe kosto shëndetësore. Ne jemi kundër tentativës që Maqedoninë e  Veriut ta shndërrojnë në poligon të drogave të ndryshme të cilat e rrezikojnë jetën, shëndetin dhe përditshmërinë e qytetarëve”, tha Elmi Aziri, deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Në një linje me partitë politike janë edhe qytetarët, të cilët edhe aktualisht, e konsiderojnë konsumimin e drogave në nivele të shqetësuese.

“Legalizimi besoj që është keq për rininë, edhe pse vërehet që është një faktor negativ i cili ndikon shumë në rininë e vendit tonë. Besoj se legalizimi do të ishte vetëm për qëllimet e shtetit dhe qëllime medicinale” shprehet një shqiptar.

“Ide qesharake është. Kjo bëhet sepse Zaevit i shkon kështu për shtati. Në përgjithësi nuk është mirë. Nga asnjë aspekt nuk është mirë”, deklaron një qytetar maqedonas.

Debati për legalizimin e kanabisit për përdorim personal pritet të fillojë në muajin qershor. Në Maqedoninë e Veriut tashmë është legalizuar kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore, por për kompanitë e mëdha të cilat duhet të përmbushin kushte të përpikta të hapësirave dhe tregtimit. Ato kanë të drejtë të shesin vajin e ekstraktuar nga bima e kanabisit, por jo edhe lulen e thatë pasi kërkesa është bllokuar në Parlament nga opozita maqedonase.