Tenderat për BKH, KLSH nis auditimin për Ministrinë e Brendshme

Procedurat për marrjen e ambienteve për Byronë Kombëtare të Hetimit, për blerjen e mobiljeve të zyrave, blerjen e armëve të zjarrit dhe pajisjeve të tjera për këtë njësi do të kalojnë në lupën e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kryetari i KLSH, Arben Shehu ka urdhëruar nisjen e auditimit për Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë e Blerjeve të Përqëndruara.

Sipas njoftimit për mediat nga KLSH, njoftohet se fokusi i auditimit ka për objekt “Auditimin Financiar dhe të Përputhshmërisë”, për periudhën 01.01.2018 deri më 30.03.2021.

Në media, kohët e fundit janë hedhur akuza për abuzime nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, agjenci kjo në varësi të Ministrisë së Brendshme në lidhje me bazën materiale që është blerë për FBI-në shqiptare.

Kjo është bërë shkak që KLSH të nisë auditimin në këtë institucion për të dalë në një raport përfundimtar me të dhëna të detajuara, auditim ky që do të jetë transparent për publikun si një mënyrë për të verifikuar nëse akuzat qëndrojnë apo procesi ka qenë korrekt.

KLSH në mënyrë të vazhdueshme ju bën apel qytetarëve që të denoncojnë abuzimet nga institucioneve shtetërore, ose punonjës të shtetit të cilët shkelin ligjin.