Tërhiqet Trump, thotë se do të ketë tranzicion të rregullt të pushtetit më 20 Janar

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se do të ketë një tranzicion të rregullt kur Joe Biden të inagurohet si president më 20 janar.

"Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve, megjithatë do të ketë një tranzicion të rregullt në 20 Janar," tha Trump në një deklaratë të postuar në Twitter nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino.

Deklarata e Trumpit u bë pasi Kongresi certifikoi mbi 270 vota të Kolegjit Elektoral, ndërsa 270 është minimumi i nevojshëm.

Certifikimi i votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit amerikan është hapi i fundit në procesin zgjedhor, para inagurimit të presidentin e zgjedhur, Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris më 20 janar.

Seanca e Kongresit vazhdoi pas rreth katër orësh trazira, pasi protestuesit e dhunshëm që mbështesin presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit duke hyrë brenda.

Garda Kombëtare është mobilizuar për t'iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.

Një grua që është plagosur gjatë dhunës në Kongres, ka vdekur. Policia e Uashingtonit tha se tre persona të tjerë vdiqën nga "urgjencat mjekësore".

Kur ligjvënësit iu rikthyen seancës, qindra mbështetës të Trumpit ishin ende në rrugët e Uashingtonit, përkundër pranisë së madhe të policisë dhe shtetrrethimit të shpallur nga ora 6 e pasdites më 6 janar.

“Për ata që bënë kërdi në Kongresin tonë sot: Ju nuk keni fituar. Le t’i kthehemi punës”, tha nënpresidenti Mike Pence.

“Ne do ta certifikojmë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2020”, shtoi udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell.

Presidenti Trump e ka kundërshtuar fitoren e demokratit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020. Por, një sërë padish janë hedhur poshtë nga gjykatat e shteteve dhe nga ajo Supreme. Trump ka bërë akuza të pabazuara për mashtrime zgjedhore.

Procedurat për mënyrën se si mbahen zgjedhjet presidenciale përshkruhen në Kushtetutën e SHBA-së, në një amendament pasues dhe në një ligj të vitit 1887.

Anëtarët e një organi politik unik, të quajtur Kolegji Zgjedhor, zgjedhin zyrtarisht presidentin, duke hedhur votat që pasqyrojnë rezultatet e certifikuara të votave të popullit në secilin shtet dhe në Distriktin e Kolumbias.

Vota e Kolegjit Zgjedhor certifikohet më pas nga Kongresi.