Vaksinimi anti-Covid në ambientet e “Air Albania” vijon në ditën e dytë të saj, së shpejti dhe në Vlorë

Vijon vaksinimi anti-Covid  në ambientet e “Air Albania”  ne diten e dyte te saj.

Pritet që sot të vaksinohen 60 mjekë, mes të cilëve dhe epidemiologë ata nga rrethet. Epidemiologët që do të marrin vaksinën janë kryesisht nga Tirana, Durrësi, Kavaja dhe Kruja.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino dha lajmin se pritet që këto ditë të fillojë edhe vaksinimi i të moshuarve në azile.

“Të moshuarit do të fillojnë menjëherë krahas vaksinimit të mjekëve", tha Bino, gjatë inspektimit që kryeministri Edi Rama bëri në ambientet e “Air Albania”.

Bino shtoi më tej se asnjë dozë nuk është humbur dhe se organizimi është bërë në mënyrë të tillë që çdo person të vaksinohet në kohën e duhur.

“Nuk kemi humbur asnjë flakon. Kemi bërë organizimin që të mos na humbasë asnjë dozë. Mund të vaksinojmë 600 veta brenda ditës”, tha Bino.

Sakaq, Shefja e Programit Kombëtar të Vaksinimit, zonja Erida Nelaj tha se nga 50 vaksinat që u injektuan një ditë më parë, asnjë pacient nuk pati shqetësime.

Pas Tiranës, Vlora bëhet qyteti i dytë ku do nisë vaksinimi ndaj COVID në Shqipëri

Të shtunën nis vaksinimi anti covid në qytetin e Vlorës, qyteti I dytë pas Tiranës.

Burime nga bluzat e bardha në Vlorë thonë se po shihet mundësia e dy ambienteve, i pari është holli i stadiumit të futbollit Flamurtari dhe një tjetër ambientet është ai i palestrës së basketbollit.

Bëhet e ditur se të parët që do të vaksinohen do të jenë bluzat e bardha.