Yuri Kim përshëndet marrëveshjen Shqipëri-Greqi: Gëzohem kur miqtë tanë punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e përbashkëta”

Ambasadorja Yuri Kim përgëzoi mbrëmjen e së hënës Shqipërinë dhe Greqinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje që shton bashkëpunimin për të garantuar sigurinë ndër-kufitare.

“Marrëveshja e sotme midis Shqipërisë dhe Greqisë për forcimin e bashkëpunimit kufitar është një zhvillim pozitiv. Një kontroll më i mirë i kufijve forcon sigurinë e dy vendeve dhe rajonit,” – shkroi Ambasadorja Kim në Twitter.

“Është mirë të shohësh miqtë të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e përbashkëta,” – shtoi ajo më tej.

 

Shqipëria dhe Greqia nënshkruan sot marrëveshje që i hap rrugë ngritjes së një qendre të përbashkët të sigurisë policore dhe doganore, qendër e cila do të ngrihet në anën greke të kufirit dhe do të ketë personel nga të dyja vendet.

Marrëveshja u nënshkrua nga dy zëvendësministrat e brendshëm të vendeve përkatëse Julian Hodaj dhe Elefterios Ikonomu.

Pika e përbashkët e sigurisë parashikohet të shkurtojë kohën e përcjelljes së informacioneve dhe do të rrisë efektshmërinë e luftës ndaj krimit ndërkufitar si trafiku i drogës apo kalimi i paligjshëm i kufirit.