Zgjedhjet e 25 prillit/ “Kostot e Demokracisë II; Paratë në politikë dhe Integriteti Zgjedhor”. 

Në vigjilje të fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) organizon Konferencën Kombëtare “Kostot e Demokracisë II; Paratë në politikë dhe Integriteti Zgjedhor”

Transparenca dhe mbikëqyrja efektive e financave të partive dhe fushatave zgjedhore ishte në fokus të një tryeze të organizuar sot nga Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) me temë “Kostot e Demokracisë II; Paratë në politikë dhe Integriteti Zgjedhor”.

Përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë si dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi theksuan sot rëndësinë e transparencës në financimin e partive politike.

Në fjalën e saj, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim deklaroi se “SHBA ka mbështetur këtë iniciativë dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje të tjera për të përmirësuar integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”.

Konferenca 'Kostot e Demokracisë', Yuri Kim: Askush nuk mund ta shesë  votën, i kemi 'bezdisur' partitë duke i kërkuar kandidatë të pastër! Të  jenë tranparente financimet - Shqiptarja.com

Ajo tha se “populli shqiptar meriton të ketë besim në institucionet e tyre, meriton të hedhë votën në një proces transparent, të lirë pa presion dhe meritojnë të shikojnë lidershipin e partive politike dhe përfaqësuesit e tyre në parlament t’i shërbejnë interesave të të gjithë shqiptarëve. Përgjegjësia për të përmirësuar sistemin elektoral nuk bie vetëm te një person apo institucion apo një parti por te të gjithë ne, që kanë një rol për të përmirësuar demokracinë e Shqipërisë”, tha ajo.

 

Gjithashtu, Ambasadorja theksoi se “po punojmë me partitë politike për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore për të forcuar besimin e popullit shqiptar duke vendosur në lista njerëz që nuk rrezikojnë demokracinë dhe nuk promovojnë korrupsionin”.

Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Dunkan Norman tha se “vazhdon të ketë mungesë transparence sa i përket financimit të partive politike”.

Sipas ambasadorit Norman, “zgjedhjet e 2021 do të jenë sfiduese, jetike, një hap i rëndësishëm drejt integrimit europian”.

Celibashi: Problem madhor, financimi i partive politike! Rrezikon edhe  sigurinë kombëtare - Shqiptarja.com

“Partitë kanë mungesë besimi tek njëra-tjetra ashtu si qytetarët e vendit. Edhe në shumë vende të botës qytetarët po humbasin besimin tek partitë. Kjo duhet të ndryshojë. Një vëzhgim i pavarur është me shumë rëndësi. Ambasada britanike ka një paketë që nxit transparencën dhe besueshmërinë drejt një procesi elektoral më demokratik. Qeveria britanike synon të sigurojë që zgjedhjet e 2021 të jenë më të mirat”, deklaroi Norman.

Zv/ambasadorja e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Clarisse Pasztory tha se se zgjedhjet e 25 prillit janë me shumë rëndësi për Shqipërinë dhe institucionet shqiptare. “Ne do të vazhdojmë me mbështetjen për policinë e Shtetit apo në trajnimin e gazetarëve dhe përfaqësuesve të medies për të siguruara raportime të mira për njerëzit që duan të kenë informacion.  Gjithashtu do të ketë një mision vëzhgimi ndërkombëtar. Ne mbështesim zbatimin e rregullave të reja për tu siguruar se këto zgjedhje do të jenë të suksesshme ,transparente dhe demokratike dhe do të çojnë drejt një qeverisje të mirë”, tha ajo.

Ndërsa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Celibashi theksoi se “është gjithmonë e rëndësishme çështja e raportit të parasë me politikën”.

“Gjithmonë është në fokus të diskutimeve dhe ka gjithmonë një shqetësim të madh nga qytetarët dhe opinioni publik lidhur me këtë çështje. Është një shqetësim i përligjur sepse raporti ndërmjet parave dhe politikës bën atë që përfaqësuesit e qytetarëve të kenë më shumë tendencë të mbrojtës të interesave të sponsorëve financiarë se sa qytetarëve dhe kjo është një çështje në plan të parë edhe në vendet e zhvilluara”, tha ai.

Sipas tij, “nëse ligjshmëria, transparenca dhe llogaridhënia e karakterizon sistemin e financimit të politikës atëherë pushteti bëhet më i përgjegjshëm ndaj përfaqësuesve të vetë”.

Celibashi: Problem madhor, financimi i partive politike! Rrezikon edhe  sigurinë kombëtare - Shqiptarja.com

“Kontributet jotransparente të biznesit në fushatë mund të çojnë në korruptim të financave publike. Shitblerja e votës, nivelet e larta të shpenzimeve të pakontrolluara të fushatës që dekurajojnë daljen e forcave të reja politike, të gjitha këto së bashku japin impaktin e tyre negativ në çështjet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në lidhej me bazën ligjore të financimit të partive politike”, tha Celibashi.

Ai nënvizoi si risi miratimin e Aktit Normativ nga KQZ që parashikon ndalimin e burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. “Kemi 311 institucione që kryejnë raportime periodike”, tha ai.

Por sipas Celibashit “problemi më i madh se financimi i partive politike nga biznesi mbetet financimi nga bota e krimit, ndaj zgjedhësit duhet të ndërgjegjësohen për çështjen e shitblerjes së votës”.

©  Argumentum