Ambasadorja Kim i kundërpërgjigjet Ramës: Jeni vend i NATO-s, respektoni ligjet shqiptare dhe votuesit shqiptarë

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar sot ndaj deklaratave të kryeministrit Rama, i cili i kërkonte diplomates së SHBA që të mos i kujtonte detyrën e tij për kandidatët me precedentë penalë.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Kim ka vënë theksin të rëndësia e listave të dekriminalizuara, duke kujtuar se është një detyrim ligjor dhe jo vetëm kërkesë e ambasadorëve.

“Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thonë kështu ose sepse SHBA e kanë bërë të qartë se lufta ndaj korrupsionit është prioritet. Ata duhet ta bëjnë këtë sepse kërkohet nga ligji shqiptar, është ajo që pritet nga një vend aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”,- shkruan Ambasadorja Yuri Kim në mesazhin e saj.

Edhe pse në reagim nuk përmendet emri i Edi Ramës, replika qartazi është e drejtuar kundër kryeministrit.

Kim thekson se flet ne emër të SHBA dhe i kujton kryeministrit Edi Rama se ka detyrë të sillet si drejtues i një vendi anëtar në NATO.

 

Në konferencën e mbajtur me gazetarët, kryeministri Edi Rama sulmoi ambasadorët e huaj në Tiranë  me një gjuhë të ashpër. I pyetur mbi qëndrimet e ambasadorëve për zgjedhjet dhe listat e kandidatëve me njerëz me precedentë penalë, Edi Rama tha: “Këtë ambasadorin britanik nuk e kuptoj fare pse është kaq i përfshirë në çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri, sinqerisht. Kam shumë respekt për të dhe realisht është një person që meriton respekt, por nuk e kuptoj se, pse është kaq i përfshirë në këto bisedat e brendshme të Shqipërisë kur vjen puna për zgjedhjet. Po e them dhe publikisht këtë, se ia kam thënë dhe personalisht.

Unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane, natyrisht, ajo është në të drejtën e vetë të thotë atë që mendon, unë e respektoj, por kjo përgjigje nuk është për të, është për ju. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane, ka thënë këtë dhe atë. Unë nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë janë të respektuar. Nuk ka nevojë të ma kujtojë asnjë koordinator në Parlamentin Europian, nuk ka nevojë të ma kujtojë askush. Unë e di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe karshi popullit shqiptar”.