Banka e Shqipërisë vendos tavan për interesat e kredisë konsumatore

Banka e Shqipërisë do të vendosë një normë interesi tavan te kreditë konsumatore për individët që pritet të sjellë norma interesi më të arsyeshme dhe të mbrojë interesat e huamarrësve.

Rregullorja e ndryshuar “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”, përcakton konceptin e ri të normës efektive maksimale të interesit (NEI maksimal) duke u bazuar në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kredinë konsumatore dhe duke i shtuar kësaj mesatareje një të tretën e saj.

Për shembull, nëse interesi mesatar për një produkt të kredisë konsumatore gjatë një tremujori të caktuar ka qenë 2%, NEI maksimal i vendosur nga Banka e Shqipërisë do të jetë 16%, duke i shtuar 1/3 e mesatares.

Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare.

Këto norma do të publikohen në faqen e saj zyrtare të internetit dhe do të jenë në fuqi për tremujorin pasardhës.

NEI maksimal do të ndahet gjithashtu sipas disa intervaleve të shumës së kredisë konsumatore, konkretisht për shumat deri në 200.000 Lekë, për ato nga 200.001 deri në 2.000.000 Lekë dhe 2.000.001 deri në 10.000.000 Lekë.