Biden  bind  botën, Bashkë për Ballkanin dhe nga Ak - Saray apo “Place Schuman”? 

Realpolitik “ flash” Nr. 25  

18 JANAR - 1 SHKURT 2021

 ***

SOT “Realpolitik” mbushi 1 VIT! Me 25 rubrika ekskluzivisht për ARGUMENTUM mbi  ngjarjet dhe zhvillimet kryesore diplomatike brenda dhe jashtë vendit. Sintezë e shkrimeve dhe komenteve në shtypin e vendit, të huaj dhe te “Argumentum”. Dallohet sepse u rikthehet ngjarjeve në distancë dy javore, duke dhënë  një gjykim shumë më pranë Realitetit. Realpolitik vendos pikat mbi “ i” shkurt, copë, troç, açik “ shqip” dhe vetëm me 1.000 fjalë.  Këto shpjegojnë suksesin dhe lexueshmërinë e  saj  në rritje.  

Dr. Jorgji KOTE

Kjo besueshmëri i dedikohet dhe autorit, Dr. Jorgji KOTE; me mbi 20 vite në shërbimin diplomatik të karrierës, në rang zv.ambasadori në Berlin dhe dy herë në Bruksel, në MPJ si Përgjegjës Sektori, Antar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, autor i disa librave mbi diplomacinë dhe i mbi 400 shkrimeve në shtypin tonë të përditshëm mbi aktualitetin diplomatik. Shto këtu doktoraturën dhe përvojën e gjatë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, plus  kontaktet në vazhdim me institucionet europiane në Bruksel.

Me shumë falenderime për lexuesit dhe ndjekësit tanë, i urojmë rrugëtim të gjatë e të mbarë dhe ju ftojmë të lexoni Real Politik Nr. 25  me tri ngjarje kryesore  diplomatike.                                                                        

  1. Biden bind botën qysh në 10 ditët e para si President i SHBA-ve. Ai po e çbën paraardhësin brenda vendit me akte, dekrete dhe mesazhe  pajtimi e bashkimi, me mobilizim total kundër COVID - 19, armiku dhe sfida më e madhe. Amerika nuk jeton më me dramat e përditshme të Shtëpisë së Bardhë, twitterat nuk cicërojnë si më parë, s’ka sulme ndaj gazetarëve si “  armiq të popullit”, po rishihet puna e “fakenews” dhe  “ fakteve alternative” etj. Në politikën e jashtme, bashkë me Blinken, Sekretarin e Departamentit të Shtetit dhe  ish zv.sekretar i Shtetit në Presidencën Obama II, Biden  ka krijuar  atmosferë nxitëse pune për të gjithë. Pas  largimit të 1000 diplomatëve nga Departamenti i Shtetit sepse nuk mund të  punonin dot me Trump dhe Pompeon, diplomacia amerikane  po rivihet në punë me ngarkesë të plotë. Biden deklaroi rikthimin në OBSH, Traktatin e Klimës, zgjati Marrëveshjen bërthamore “ New Start” me Rusinë, ka dhënë mesazhe afrimi për bashkëpunim me Kinën, Iranin dhe vende të tjera.  Why Biden is good news for Germany  Kryesorja, u rikonfirmua qartë forcimi i Aleancës me BE dhe NATO-n. “America first” po zëvendësohet me Amerikën transatlantike, me lidershipin e saj botëror në zgjidhjen e sfidave serioze të kohës “ America great again” tani lexohet “  “America back again” Natyrisht, është vetëm fillimi, ka plot rrugë për të bërë, por siç i thonë fjalës “ fillimi i mbarë është gjysma e punës”
  1. Bashkë për Ballkanin: Mesazhe inkurajuese dhe tingëlluese bashkëpunimi vijnë nga Uashingtoni dhe për Balkanin e sidomos Kosovën. Në bisedat dhe demarshet e para me kolegët Euro - Atlantikë, Presidenti   Biden dhe Kryediplomati Blinken kanë theksuar përparësinë absolute të miqësisë dhe bashkëpunimit me BE-në, NATO-në dhe aktorë të tjerë, që Ballkani të përfshihet sa më shpejt në strukturat Euro-Atlantike. Për Kosovën, pas disa vite lëkundjesh e dyshimesh serioze, Blinken u shpreh në favour të rolit ndërmjetësues të BE-së, mbështetjen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse Prishtinë - Beograd, me kusht themelor njohjen e Kosovës nga Serbia dhe vende të tjera, integrimi i tyre Euro-Atlantik, demokracia dhe begatia ekonomike.  Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?  Qartazi kundërshtohet çdo zgjidhje me këmbim territoresh apo kryesisht me bonuse e metoda ekonomike. Me siguri do të rishihet dokumenti i 4 Shtatorit që siç e kemi nënvizuar qysh atëhere nuk është “ as  marrëveshje dhe as  historik” Sepse ai vetëm sa i vjen rrotull problemit pa zgjidhje të vërteta e të qëndrueshme. Me siguri priten të reja premtuese  dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë, duke vendosur në plan të parë demokracinë.
  1. Nga Ak Saray apo “Place Schuman”? Ak - Saray  ose “ Pallati i Bardhë” përfshin sarajet presidenciale të inauguruar më 2014 në rrethinat e Ankarasë, me 1100 dhoma dhe me vlerë rreth 600 milion Euro.  E pamë luksin e tyre së fundi më 6 Janar, kur  Kryeministri Rama u prit atje me pompë dhe bujë; si mik personal politik i Erdogan dhe vizitor i rrallë. Ndërsa “ Place Schuman” është sheshi simbolik europian  në Bruksel, ku janë selitë e 4 institucioneve më të larta të BE-së; ato që kanë në dorë antarësimin tonë dhe të vetë Turqisë. Të kuptohemi, si aleat dhe partner, veçse të mira na vijnë nga lidhjet dhe marrëdhëniet e  ngushta me këtë vend. Shqetësimi është te raporti i padrejtë i krijuar kohët e fundit midis glorifikimit të rolit të saj dhe sfumimit të BE-së, çka i  bie në sy të kujtdo,  e ca më shumë kancelarive europiane. Ja, shihni, vetëm lëvdata e superlativa për Turqinë, për shtëpitë dhe xhamitë që po ndërton, spitalin në Fier, për këtë dhe atë…. Ndërkohë, ndaj BE-së dhe vendeve të saj antare çuditërisht po dëgjohen kryesisht batuta, thumba, insinuata, rromuze dhe sulme, të koduara dhe pa kapak, me një etikë dhe fjalor që vetëm europian nuk është! Rama dhe Erdogan ngrenë Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik Shqipëri-Turqi - Exit | Shpjegon Shqipërinë Kryeministri Rama fajëson dhe viktimizon BE-në, Francën, Holandën, etj  për të gjitha kusuret e qeverisjes sonë, për negociatat që nuk po na i çelin për faj të “ dinamikave të brendshme” për “ çmendurinë” në mosliberalizimin e vizave me Kosovën, që demek po na vonon hapjen e tregjeve të mishit, që nuk po na jep vaksinën, që “ nuk këtë e  nuk atë”  Rrallë mund të gjesh kohët e fundit  një rast ku të ketë thënë një fjalë të mirë për ndonjë vend të BE-së, vetëm “rrufe e bubullima”! Kur për pasojat e Tërmetit vetëm  Komisioni Europian na dha mbi 300 Milion, për Rajonin 9 miliard për Paktin Ekonomik, për koronën  mbi 3 miliard dhe së fundi vetëm për ne dhe 70 milion Euro për vaksinën, më shumë se kushdo tjetër! Ndonëse është vetë në hall të madh. Tani kushdo ka të drejtë të kritikojë këdo; problemi është se ne jemi ende të vegjël dhe “ aguridhë” plot gjynahe dhe mbi të gjitha jemi nevojtarë dhe lipsarë. Pastaj ka plot kanale diplomatike ku mund të shprehen si duhet këto shqetësime.

Ja pse lind natyrshëm pyetja: po mirë xhanëm, kjo rruga jonë për në BE kalon nga “Place Schuman” nga Brukseli, apo nga Ak - Saray, pra nga Ankaraja? Po, po, në Europë shkohet dhe nga Ak Saray, veçse i bie shumë gjatë, në rrugë pa rrugë, plot shtigje e gropa! Të keqen e 15 kushteve! Ja, dhe vetë Turqia ka 50 vjet por është shumë larg BE-së!

/argumentum.al

© Argumentum