Covid -19 po vret të rinjtë. Ku janë vaksinat z. Kryeministër?

Editorial

Dita e parë e javës nisi me një  lajm tragjik për humbjen e jetës së një 17-vjeçari në spitalin “Shefqet Ndroqi” pasi ishte i prekur nga Covid.

I shtruar prej disa ditësh në spital, ai nuk ka mundur që të fitonte betejën me virusin. Mësohet se i riu, Qamil Seiti ndodhej prej një jave i intubuar. Ai nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese, ndërsa vdekja e tij është një nga moshat më të reja që prej fillimit të pandemisë.

Po ashtu një 28-vjeçare nga Elbasani e infektuar me COVID-19 ka ndërruar jetën ditën e sotme. Sipas mediave ajo ka ndërruar jetë në një prej spitaleve COVID në kryeqytet. E reja ishte shtruar prej disa ditësh, ndërsa mësohet se nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Humbja e jetës së këtyre të rinjve në këtë moshë kaq të re dhe pa sëmundje të tjera shoqëruese e bën më tragjike dhe tronditëse këtë ngjarje.

Jemi 1 vit që nga shpallja e Pandemisë së Covid-19, ndërkohë që në Shqipëri  çdo ditë kemi një mesatare të numrit të viktimave që varion nga 11-19 persona në 24 orë, javëve të fundit dhe me qindra të infektuar .

Ndërkohë nuk mungon propaganda e qeverisë duke proklamuar në media apo në të gjitha kanalet e tjera  informuese gatishmërinë e tyre për vaksinimin e popullsisë. Vaksina imagjinare, pasi deri tani kanë ardhur vetem disa doza të papërfillshme që nuk plotësojnë as vaksinimin e personelit mjekësor.

Këtë fundjavë Kryeministri Rama bëri gjetjen e radhes duke njoftuar vaksinimin e 20 përsonaliteteve  mbi moshën 80 vjeç. Duke ditur  që masa është e ndjeshme ndaj diskriminimit, dhe do të merreshin pikërisht me ”ndarje klasore” dhe do të harrojnë ti kërkojnë llogari  kësaj qeverie e cila po rrezikon në të vërtetë jetën e secilit prej nesh, tashmë jo vetëm  të gjyshërve tanë qofshin këta përsonalitete ose jo,  por dhe fëmijëve tanë.

Ku janë vaksinat z.Kryeministër?

Mos u fshihni pas kontratave të Pfizer apo Astra Zanneca duke thënë se  këto kompani nuk kanë përmbushur kontratat e tyre as me vendet e tjera europiane. Mjaft më me këto alibi boshe. Nëse nuk kanë kapacitete prodhuese këto kompani, shikoni për alternativa të tjera sikundër po bën Serbia, e cila është vendi i parë në botë që ka siguruar 4 lloje vaksinash për  popullsinë  e saj dhe është vendi  i dytë në Europë me vaksinimin e mbi 1 milion qytetarëve.

Nga Pfizer e deri tek vaksinat ruse e kineze, janë të gjitha këto vaksina që po shpëtojnë jetë njerëzish në Serbi, vaksina të cilat për fat të keq janë kthyer në “ të padëshirueshme “ për Shqipërinë.

Maqedonia e Veriut po ashtu, ishte në pritje si Ju z.Kryeministër për vaksinat e “bekuara” nga Perëndimi, por në fund edhe ata u dorëzuan drejt Rusisë dhe Kinës, pa dallim gjeopolitik, pasi bëhët fjalë për të shpëtuar jetë njerëzish dhe jo alenaca politike.

Çfarë do ti thoni Presidentit francez i cili pak ditë më parë tha se "vaksinat ruse dhe kineze janë të nevojshme për të fituar "luftën botërore" kundër Covid-19" ?!

Këmbanat po bien fort z.Kryeministër, spitalet po mbushen me të shtruar, me qindra të infektuar,  mos na i mbushni dhe varret me të rinj e të reja vetem për kapriço gjeopolitike. Mos prisni, mos refuzoni ndihmë, por hapni kanalet e komunikimit dhe kësaj here vërtet shtrini dorën për ndihmë para se të  jetë vonë. Nëse kjo ndihmë vjen nga Lindja, Azia, nuk ka rëndësi. Le të jetë e mirëpritur, mjafton të shpëtohet JETË.

Mos na privoni nga e Drejta për të Jetuar!

/argumentum.al

© Argumentum