Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë mbi zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar pas zgjedhjeve të  parakohshme parlamentare në Kosovë, duke uruar fitoren e LVV-së. "Jemi besimplotë se LVV dhe partnerët e saj në koalicion, me vizion e përkushtim do të jenë bartës dhe frymëzues të interesave të popullit, vota e të cilit u ka dhënë një përgjegjësi si në asnjë rast tjetër më parë", shkruan KASH.

Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë dëshmuan edhe një herë se proceset demokratike janë në udhën e vet të mbarë. Populli i Kosovës votoi qetësisht, liderët politikë pranuan rezultatin  dhe  legjitimiteti i fituesve  tani kalon tek përgjegjësia për të justifikuar besimin e dhënë.

LVV, si fituese e këtyre zgjedhjeve është përpara sfidës dhe momentit të shumëpritur për ndërtimin e një konsensusi të ri për Kosovën, si shtet funksional e i mbështetur mbi zhvillime  demokratike.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh besimin se partitë që do të dalin në opozitë do t’i bëjnë një analizë të shëndetshme rezultatit dhe do të nxjerrin mësimet e nevojshme për t’i udhehequr.

Demokracia në Kosovë ka nevojë për një opozitë të fortë dhe konstruktive për të çuar përpara proceset shtetformuse në Kosovë.

Urojmë gjithashtu që qeverisja e re të investohet drejt një Kosove euroatlanitike, një shteti të zhvilluar, ku drejtësia sociale e sundimi i ligjit të jenë parësore.

Ekonomia e Kosovës ka nevojë për një oksigjen të ri, për një marëdhënie atraktive me fqinjët, mbështetur mbi bazën e partneritetit e përfitimit të ndërsjelltë.

Jemi besimplotë se LVV dhe partnerët e saj në koalicion, me vizion e përkushtim do të jenë bartës dhe frymëzues të interesave të popullit, vota e të cilit u ka dhënë një përgjegjësi si në asnjë rast tjetër më parë.

Urojmë që edhe në Shqipëri, ku zgjedhjet janë në prag, të dëshmohet një pjekuri e lartë politike e demokratike për standarte europiane, me qëllim shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve Shqiptarë drejt të ardhmes së tyre europiane.

Tiranë, 15 Shkurt 2021

© Argumentum