“Deputeti që duam”/ Rama: Grupi aktual parlamentar, boshti i skuadrës së PS-së për zgjedhjet e 25 Prillit

Partia Socialiste ka përzgjedhur disa emra përmes platformës “Deputeti që duam”. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, tha se zgjedhjet e 25 Prillit janë një ndeshje ku do të vendoset nëse Shqipëria do të vazhdojë të bëjë përpara.

Kryeministri tha se gjatë mandatit të fundit, qeveria është përballur me tërmetin dhe pandeminë, megjithatë shumë prej punëve të nisura janë çuar përpara. Kreu i qeverisë deklaroi se grupi aktual parlamentar do të jetë boshti i skuadrës së re që do të krijojë për zgjedhjet e 25 Prillit.

“Grupi im parlamentar ka profile të përshtatshme për çdo rol. Ka krijuar bagazh që nuk mund të neglizhohet. Grupi ka qenë mbështetës, solid për reformat. Ky grup do të jetë boshi i skuadrës sonë kombëtare të 25 Prillit”, tha Rama. Megjithatë ai u shpreh se skuadra e PS-së duhet të jetë në lartësinë e sfidës së madhe të ripërtëritjes me lojtarë të rinj të cilët do të sjellin energji të reja.

Deputeti që duam", e reja nga Kukësi “sfidon” Ramën: Unë do jem një nga  lypëset më të forta për zhvillimin e zonës time - lexo

“Na duhen deputetë dhe deputete që ambicien më të lartë të kenë qëndrimin pranë njerëzve, të kenë kontribut sa më pozitiv në frymën e skuadrës. Skuadra është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha egot dhe interesave personale”, tha Rama.

Kreu i PS-së tha se në total përmes platformës “Deputeti që Duam” kanë shprehur interes 1581 qytetarë. Prezantimin e kandidatëve të rinj, kreu i qeverisë e bëri përkrah kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.