"Dita e Punonjësit Diplomatik"/ Ambasada Ruse në Shqipëri sjell një seri botimesh kushtuar diplomatëve të shquar rusë.

Në Ditën e Punonjësit Diplomatik, Ambasada Ruse në Shqipëri sjell në vëmendjen tuaj një seri botimesh kushtuar diplomatëve të shquar rusë.

Sot do t'ju tregojmë për një nga diplomatët më të shquar të shekullit të 19-të, i cili drejtoi Ministrinë e Jashtme Ruse për më shumë se 25 vjet:

📜 Aleksandër Mihailoviç Gorçakov (1798 - 1883), Knjaz - diplomat rus, Ministër i Punëve të Jashtme (1856-1882) dhe Kancelari i fundit i Shtetit i Perandorisë Ruse.

Shoku i liceut i poetit të madh rus, Aleksandër Pushkin. Ai u arsimua në Liceun Tsarskoye Selo, me mbarimin e të cilit hyri në shërbimin diplomatik. Një rol të rëndësishëm në formimin e Gorçakovit të ri si diplomat luajti paraardhësi i tij i shquar si ministër i jashtëm, me origjinë nga ishulli i Korfuzit, Ioannis Kapodistrias. Knjazi Gorçakov mbajti poste të ndryshme diplomatike në Londër, Romë, Berlin, Firence, Vjenë, Stuttgart, Frankfurt në Main.

Gjatë Luftës së Krimesë (1853-1856), ai mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Vjenë, në cilësinë e Përfaqësuesit Rus. Autoriteti i Gorçakovit në qarqet diplomatike dhe përpjekjet e tij në masë të madhe ndihmuan që Austria të mos bashkohej me koalicionin anti-rus të Anglisë, Francës dhe Perandorisë Osmane.
Aleksandër Gorçakov u vendos në krye të Ministrisë së Jashtme pas përfundimit të Luftës së Krimesë. Detyra kryesore e ministrit të sapoemëruar ishte heqja e kufizimeve të vendosura Rusisë nga Traktati i Paqes në Paris i vitit 1856. Thënia e famshme e Gorçakovit “Jo, Rusia nuk është e zemëruar, Rusia po përqendrohet” u bë motoja e politikës së jashtme ruse gjatë dekadave të ardhshme. Rezultati i kësaj politike ishte nënshkrimi i Konventës së Londrës e vitit 1871, e cila i ktheu të drejtën sovrane Rusisë për të pasur një flotë ushtarake në Detin e Zi.

Emri i Gorçakovit lidhet, gjithashtu, me politikën e afrimit të Rusisë me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, pika kulmore e së cilës ishte “Bashkimi i Tre Perandorëve” në vitin 1873. Kështu, neutraliteti i fuqive evropiane u sigurua në luftën ruso-turke të viteve 1877-1878.

Përmes përpjekjeve të Gorçakovit, rrjeti i misioneve diplomatike të Perandorisë Ruse u zgjerua ndjeshëm: më shumë se 30 ambasada dhe misione, si dhe më shumë se njëqind zyra konsullore u hapën në vende të ndryshme.

Karriera politike e Knjaz Gorçakovit përfundoi me Kongresin e Berlinit të vitit 1878. Që nga ajo kohë, ai pothuajse nuk mori pjesë në punët shtetërore, duke mbajtur titullin e nderit të Kancelarit të Shtetit. Në Mars 1882, Nikolai Girs u emërua në postin e Ministrit të Jashtëm.

Në ditët e sotme, një nga rrugët e Moskës dhe një stacion i metrosë kanë marrë emrin e Gorçakovit, disa monumente dhe pllaka përkujtimore janë ngritur në nder të tij. Emrin e ministrit e mban, gjithashtu, Fondacioni Rus për Mbështetjen e Diplomacisë Publike të Gorçakovit.

Një fakt interesant është që Aleksandër Gorçakov mblodhi piktura nga piktorë evropianë, shkëmbeu në mënyrë aktive piktura me koleksionistë të tjerë, duke mbledhur një nga koleksionet më të mira të pikturave në Shën Petërsburg. Sot, punime nga koleksioni i Gorçakovit mund të shihen në muzeun e Ermitazhit, Muzeun Pushkin, etj.

(Marrë nga faqja zyrtare  Facebook e Ambasadës ruse në Tiranë)

© Argumentum