Gjyqi ndaj ish-Presidentit Trump mund të përfundojë të shtunën

Gjyqi i dytë në Senat ndaj zotit Donald Trump mund të përfundojë të shtunën, me një Senat të ndarë i cili duhet të vendosë nëse ish-Presidenti nxiti mbështetësit e tij për të sulmuar Kapitolin më 6 janar, në një përpjekje të fundit për të qëndruar në pushtet pas humbjes në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Trump është presidenti i parë amerikan ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin e tij dhe i pari që përballet me një gjykim në Senat pas largimit nga detyra. Nëse dënohet, Senati mund të votojë për ta ndaluar atë që të kandidojë sërish për një post zyrtar në qeverinë federale.

Por shpallja fajtor e zotit Trump për akuzën e ngritur duket e pamundur pasi demokratëve do t’u duheshin votat e të paktën 17 republikanëve të Senatit prej 100 anëtarësh.

Përpara fillimit të gjykimit në Senat, vetëm gjashtë republikanë votuan me demokratët për të vazhduar procesin e gjykimit, duke kundështuar një argument të bërë nga senatorë të tjerë republikanë që e konsideruan procesin si antikushtues nisur nga fakti se bëhej fjalë për një president që nuk ishte më në detyrë.

Senati pritet të mblidhet në orën 10:00 paradite, dhe një votim përfundimtar mund të zhvillohet të shtunën pasdite.

Gjyqi në Senat ka nxjerrë në pah rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin u përballën ligjvënësit më 6 janar, ndërsa zoti Trump u bëri thirrje ndjekësve të tij të marshonin drejt Kapitolit, në një përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të çertifikonin ditoren e tij ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.Si pasojë pesë persona humbën jetën.

Pamje filmike të marra nga kamerat e sigurisë të cilat u paraqitën gjatë procesit të gjykimit tregonin se protestuesit ishin afruar shumë pranë e duke vendosur në rrezik ligjvënësit ndërsa ata po evakuoeshin nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Në shënjestër të protestuesve ishte edhe Nënpresidenti Mike Pence, i cili më herët gjatë asaj dite kishte refuzuar kërkesën e zotit Trump për të ndërhyrë në procedurat për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Në një postim në Twitter zoti Trump kritikoi zoti Pence për mungesë "guximi" menjëherë pasi senatori republikan Tommy Tuberville kishte njoftuar zotin Trump se nënpresidenti po evakuohej për arsye sigurie.

Avokatët e zotit Trump dhanë përgjigje kontradiktore të premten kur u pyetën nëse zoti Trump e dinte se zoti Pence ishte në rrezik kur publikoi postimin e tij. Disa senatorë republikanë thanë se ata kishin ende pyetje në lidhje me rolin e zotit Trump në sulmin e dhunshëm në Kapitol.

"Çështja është se cili ishte qëllimi i presidentit? Për këtë gjë vetëm presidenti mund të përgjigjej. Dhe presidenti zgjodhi të mos e bëjë", u tha gazetarëve senatori republikan Bill Cassidy. Ai shtoi se nuk e kishte ndarë ende mendjen se si të votonte. Ish-Presidenti Trump e hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve të çështjes për të dëshmuar në gjyqin e tij.