Intervistë me ambasadorin shqiptar në Pekin lidhur me Bashkëpunimin Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore (EQL)

Më 9 shkurt, në prag të Vitit të Ri Kinez, presidenti i Kinës Xi Jinping drejtoi në Pekin videokonferencën e Samitit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL). Xi theksoi se bashkëpunimi Kinë-EQL ka formuar parimin e bashkëpunimit në përputhje me karakteristikat e veta dhe të pranueshëm nga të gjitha palët, që do të thotë bashkëpunim në bazë të konsultimeve, përfitimeve të përbashkëta, zhvillimit të përbashkët e gjithëpërfshirës dhe rritjes së vazhdueshme nëpërmjet novacionit. Lidhur me këtë samit, CMG Shqip i mori një intervistë me shkrim ambasadorit të Shqipërisë në Kinë, zotit Selim Belortaja.

Lidhur me drejtimin nga vetë presidenti kinez Xi Jinping të këtij samiti dhe rëndësinë e samitit për të ardhmen e kornizës së bashkëpunimit, Belortaja tha se drejtimi i këtij Samiti personalisht nga kreu i shtetit kinez pasqyron të dy anët: edhe vlerësimin që Kina dhe Presidenti Xi personalisht kanë ndaj Nismës Kinë-Vendet e EQL, por edhe nevojën që ka kjo nismë për të marrë një energji e moment të ri, pas 9 vjetësh operimi. Cilido qoftë motivi kryesor, kryesimi i Samitit nga presidenti Xi Jinping ishte në vetvete një shtysë më shumë për seriozitetin e përgatitjes dhe pjesëmarrjen e vendeve të EQL-së në nivelet më të larta. Ai është i kënaqur që pala shqiptare tregoi vlerësimin e duhur dhe kryeministri Edi Rama e nderoi personalisht ftesën për në Samit.

Sa i përket pjesës mbi marrëdhëniet dypalëshe, z. Belortaja tha se së pari duhet vënë në dukje normaliteti dhe stabiliteti i tyre në të gjitha aspektet. Dialogu politik e diplomatik mes dy vendeve funksionon pa probleme dhe kjo bën që edhe në raste mospajtimi për ndonjë çeshtje të caktuar palët të shpjegohen dhe kapërcejnë ngërçet eventuale. “Ndërsa në fushën tregtare dhe ekonomike - çka nga këndvështrimi ynë përbën dhe interesin kryesor të bashkëpunimit dy- apo shumëpalësh”, u shpreh ambasadori Belortaja, “i bashkohem konstatimit të Kryeministrit tim se ky potencial megjithëse ekziston dhe është i konsiderueshëm, mbetet akoma i pashfrytëzuar. Është e vërtetë që Kina është gjithmonë në pesëshen e parë të renditjes së partnerëve tregtarë për Shqipërinë, por fluksi i shkëmbimeve është i njëanshëm, në raportin 1:5 në favor të eksporteve kineze. Sigurisht rol kyç këtu ka oferta shqiptare dhe konkurrueshmëria e produkteve tona me standarde, por po aq e rëndësishme është edhe që tregu kinez të jetë më pak restriktiv dhe i aksesueshëm. Edhe më fushën e investimeve kineze në Shqipëri, realiteti është ende shumë larg pritshmërive tona.”

Duke folur për parimin e bashkëpunimit me konsultime e përfitime të përbashkëta, që tregohet në fjalimin e presidentit Xi, ambasadori Belortaja tha: “Na gëzoi fakti që Presidenti Xi shpalosi personalisht këto drejtime, si disa prej parimeve bazë të funksionimit të marrëdhënieve dy- dhe shumëpalëshe mes Kinës dhe vendeve tona, përfshi Shqipërinë, parime të cilat ne i gjejmë plotësisht me vend. Që të ruajmë këtë frymë praktike, tani gjithë vemendja jonë duhet përqendruar jo në përsëritjen e tyre, por në zbatimin e tyre në realitet dhe në rezultate të prekshme e të matshme.”

Sipas përfaqësuesit të diplomacisë shqiptare në Kinë, kryesimi i Samitit nga presidenti Xi tregon gjithashtu edhe pritshmëritë serioze që vetë Kina ka ndaj rezultateve reale të platformës 17+1, të cilat mbeten ende një sfidë për t’u arritur. “Në themelimin e saj 9 vjet më parë, Nisma është prezantuar si një mekanizëm komplementar ndaj marrëdhënieve tradicionale, pra si një mundësi shtesë projektesh e fluksesh mbi rrjedhën e zakonshme të shkëmbimeve dypalëshe nga dekadat e kaluara. Përtej arritjeve të njohura e inkurajuese, të raportuara edhe në këtë Samit, pikërisht kjo pikë përbën në dijeninë time edhe vërejtjen kryesore që kemi jo vetëm ne. Raportimi në mënyrë të diferencuar i rezultateve shumëpalëshe të 17+1 dhe ngritja e mekanizmave të posaçëm mbështetës për korrjen e atyre rezultateve, do ta bënte më të qartë performancën e kësaj platfome shtesë dhe do ta rriste më tej besimin ndaj saj,” vuri në dukje ambasadori Selim Belortaja.

Në fjalimin e tij, Presidenti Xi propozoi që të këmbëngulet te bashkëpunimi konkret dhe shtimi i përfitimeve të ndërsjellta. Në pesë vjetët e ardhshëm, Kina planifikon të importojë mbi 170 miliardë dollarë mallra dhe të dyfishojë importin e mallrave bujqësore nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore duke përfshirë Shqipërinë. Lidhur me këtë, Belortaja foli mbi përparimin e punës së bërë nga Kina dhe Shqipëria në këtë fushë. Ai tha se edhe Shqipëria e gjen plotësisht me vend mesazhin e presidentit Xi për bashkëpunim real, konkret e me përfitime të ndërsjella të matshme e të lexueshme. “Nënshkrimi i një numri të madh protokollesh, marrëveshjesh dhe MoU-sh, flet gjithashtu se ka mjaft pritshmëri, entuziazëm dhe besim te bashkëpunimi i vendeve të EQL me Kinën si në planin dypalësh, edhe në kuadrin e 17+1. Kjo është një bazë e mirë mbi të cilën ne duhet të ngremë gjithë punën tonë për zbatim të frymës së këtyre dokumentave dhe për të korrur sa më shumë rezultate konkrete që shkojnë direkt në përfitim të qytetarëve dhe bizneseve tona,” u shpreh Belortaja. Ai vuri në dukje se objektivi i shpallur për dyfishimin e importeve bujqësore nga vendet e EQL-së drejt tregut kinez është vërtet shumë inkurajues dhe shprehu besimin se ky objektiv do të materializohet në hapjen graduale të kufizimeve dhe kërkesave ende shumë të rrepta ndaj produkteve tona bujqësore e ushqimore për të hyrë në Kinë.

Pikërisht disa ditë para samitit, Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës dhe Ministria shqiptare e Bujqësisë nënshkruan dy protokolle për inspektimin dhe kushtet sanitare të karantinës për eksportimin e mjaltit dhe bulmetit nga Shqipëria në Kinë. Ambasadori Belortaja tha se ai vetë e ka publikuar këtë lajm me kënaqësi dhe entuziazëm në rrjetin social “Wechat”, me besimin se ky hap do t’i hapte rrugën hyrjes reale të produkteve të bulmetit dhe mjaltit shqiptar në Kinë. “Qeveria shqiptare e vlerëson këtë nënshkrim nga ana e Kinës, duke konsideruar se kjo masë mund të merrej shumë kohë më parë. Kjo i ka inkurajuar së tepërmi edhe prodhuesit shqiptarë të mjaltit dhe bulmetrave, të cilët po na telefonojnë e pyesin për detajet e zbatimit të Protokolleve,” tha ai. Sidoqoftë, z. Belortaja shtoi se, nga studimi i dokumenteve dhe njohja që ka nga eksperienca e tij, duhet ende shumë punë, shumë përpjekje e investime derisa këto produkte aq të vlerësuara nga konsumatori kinez të shfaqen konkretisht në raftet e vitrinat e dyqaneve kineze. Ai shprehu shpresën se vullneti i mirë i treguar në fazën e nënshkrimit, vetëm tre ditë para Samitit, do të dëshmohet edhe në fazat e hyrjes konkrete të kontingjenteve fizike.

Në fund të intervistës ambasadori foli për një projekt 3-palësh të përfshirë në kuadër të kornizës së bashkëpunimit 17+1, për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Shalë nga kompania kineze e infrastrukturës energjetike CGGC, kompania irlandeze "3Power" dhe dega e saj në Shqipëri. Ai tha se, megjithëse për momentin nuk është në dijeni që projekti i HEC-it mbi lumin Shalë në Veri të Shqipërisë të ketë një natyrë 3-palëshe, cilado qoftë natyra teknike e pjesëmarrjes së kompanisë kineze CGGC në këtë projekt – qoftë e pavarur apo qoftë edhe si nënkontraktore e kompanisë irlandeze “3Power”, pjesëmarrja e një kompanie kaq serioze e kompetente kineze përbën një lajm shumë të mirë. “Dhe pa dyshim, realizimi me sukses i këtij projekti do bëjë që në raportimet tona të ardhshme të mund të shpallim edhe këtë arritje si një sukses real të bashkëpunimit tonë,” vuri në dukje ambasadori i Shqipërisë në Kinë, z. Selim Belortaja./CRI