Ish- presidenti maqedonas Ivanov, dëshmon për dhunën e 27 Prillit në parlament

Ish presidenti Gjorgje Ivanov nuk e ka ditur se po përgatitet hyrje e dhunshme në Parlament më 27 Prill. Asnjë shërbim sigurie nuk e ka informuar kabinetin e tij se përgatitet skenar i tillë, tha sot Ivanov si dëshmitar në rastin kundër personave të akuzuar për organizimin e hyrjes së dhunshme që ndodhi në vitin 2017. Ai aspak nuk ka planifikuar të shpallë gjendje lufte sepse vendi nuk ishte nën kërcënim ushtarak. Informatat se presidenti natën e 27 prillit ka menduar të shpallë gjendje lufte i konsideron si të pasakta dhe si pjesë të luftës psikologjike.

"Kushtetuta përcakton kur shpallet gjendje lufte në vend. Pra, duhet të ketë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për sulm ndaj Republikës, ky është kushti i parë. E dyta, duhet të sulmohet Republika dhe duhet t’i shpallet luftë Republikës. Pra, asnjë nga ato kushte të parashikuara nga Kushtetuta nuk janë përmbushur. Kushtetuta përcakton që vendimi për shpalljen e gjendjes së luftës është në kompetencën e Kuvendit me shumicën e dy të tretave "-tha Gjorgje Ivanov, ish President i Maqedonisë.

Ivanov tha se ai kurrë nuk ka fshehur që i mbështet protestat e shoqatës “Për Maqedoni të Përbashkët” të filluara pas nënshkrimit të Platformës së Tiranës.

Unë i kam mbështetur dhe do të vazhdoj t’i mbështes “Për një Maqedoni të Përbashkët – deklaroi Gjorgje Ivanov, Ish President i Maqedonisë.

Përveç Ivanovit, sot dëshmoi edhe ish Zëvendësministrja e drejtësisë Biljana Brishkovska. Ajo tha se ka qenë në selinë e VMRO – DPMNE-së më 27 prill, së bashku me të gjithë funksionarët e asaj kohe. Por tha se nuk i dha urdhër, tani të akuzuarit Trajko Veljanoski që të hapen dyert e Kuvendit nga brenda që turma të futet brenda Kuvendit. Këtë e pohonte tashmë i dënuari Aleksandër Vasilevski – Ninxha. Përveç Veljanoskit, si organizatorë të hyrjes së dhunshme akuzohen edhe Mile Janakieski, Spiro Ristovski dhe ish-drejtori i DSK-së-së, Vlladimir Atansovski. Gjyqi vazhdon më 16 shkurt./Alsat