“Kosovo Momentum”

Nga Marjana DODA

Dielli në Kosovë në këtë 13 vjetor të  Pavarësisë së saj shëndrit më fort!

Kosova vetëm 3 ditë më parë dëshmoi nëpërmjet votes se ka shprese.  Të  dielen e 14 shkurtit u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare,  të cilat u zhvilluan 18 muaj pasi qytetarët e Kosovës votuan herën e fundit.

Fituese  e këtyre zgjedhjeve është  Lëvizja Vetëvendosja e udhëhequr nga Albin Kurti. Ai  fitoi me një shumicë të thellë prej rreth 48%, rezultati më i lartë që një parti ka marrë ndonjëherë në historinë e Kosovës së pavarur, duke rikonfirmuar  besimin e qytetarëve të Kosovës  ndaj LVV-së  në më pak se 1 vit nga rrëzimi i qeverisë Kurti me mocion mosbesimi. Ndoshta ishte një "shuplake" për pabesinë  e 25 Marsit.

Kosova ka treguar disa here se vota e sovranit është e shenjtë dhe si e tillë, ajo ka mbajtur zgjedhjet më të mira në rajon. Kësaj here në një mot të ftohtë dhe me masa të rrepta kundër pandemisë Covid-19, mijëra qytetarë dolen dhe votuan. Qytetarët e Kosovës  kësaj radhe duket se  kanë votuar jo vetem për një “administrator” të ri, por për vetë të ardhmen e tyre.

Albin Kurti i fitoi këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi drejtoi Kosovën si Kryeministër për vetem 51 ditë.

Kjo pasi më 25 Mars 2020 ndaj qeverisë Kurti u iniciua një mocion mosbesimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pas një serë përplasjesh mes dy partive. Megjithatë, rrëzimi i qeverisë Kurti u përfol se u bë me “bekimin” e vetë amerikanëve, pasi Kurti kishte deklaruar disa herë që nuk do të firmoste një marrëveshje me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

Para saj  me 19 korrik 2019 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij, megjithse në fillim u justifikua  duke thenë se arsyeja e dorëheqjes është se ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit, por  më vonë vete Haradinaj tha se vendet mike me presion e detyruan qeverinë të jap dorëheqje.

Të dy këto qeveri  u rrëzuan për një arsye, “Dialogu me Serbinë”.

Ndaj qytetarët e Kosovës renden si asnjëherë drejt kutive të votimit për ti dhënë njëherë e mirë fund kësaj agonie. Kjo fitore, dëshmon që populli i Kosovës kërkon që sovrani të dëgjohet dhe të respektohet, edhe nga Perëndimi.

Albin  Kurti si fitues i zgjedhjeve tha se: “Prioritetet tona janë drejtësia dhe vendet e punës". Në fakt këto fjalë të Z.Kurti do të ishin me vend 13 vite më parë, ku Kosova po themelonte institucionet e saj shtetërore. Megjithatë 13 vite pas, institucionet e Kosovës duke se kanë nevoje për reformim.

Zanafilla e këtij regresi është dialogu Prishtinë-Beograd, i cili doli nga  tryezat zyrtare të Bashkimit Europian dhe u vesh me teori konsipirative.

Në fillim të Gushtit të vitit 2018, në një konference të jashtëzakonshme për shtyp, Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, foli për korrigjim e kufijve si përpjekje për ti dhënë fund konfliktit shekullor me Serbinë. Por që nga kjo konference e deri sot, Kosova po vuan pasojat e saj. Teoritë konsipirative për ndarje e bashkim bënë që Kosova të humbase shumçka, deri te  kredibiliteti i saj si shtet.

Sa i përket  dialogut  dhe marrëdhenies së Albin Kurtit me Perëndimin, duket se ketë herë nuk ka vend për skepticizëm.

Së pari sepse Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është i vetmi lider politik në rajon që hapur  ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ta votojnë Joe Biden për president në zgjedhjet presidenciale.

Nga ana tjetër, vetë presidenti i ri i SHBA-ve e njeh shumë mirë Ballkanin.

“Që nga vitet e 90-ta, Joe Biden është një  njohes dhe mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishtë ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit; që bëri thirrje për ndërhyrje amerikane në Bosnjë, dhe më pas në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serbë të luftës; dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës”

Së dyti, lidhur me dialogun me Serbinë, Albin Kurti, ka thënë se nuk e ka prioritet nisur dhe nga situata në Kosovë. Kurti ka renditur me të drejtë disa nga pikat më të rëndësishme siç  janë  papunësia, lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi, etj.

Në këtë mënyrë Albin Kurti do ti jape kohë vetes dhe Kosovës për forcimin e saj si shtet.

Duhet thëne se përgjatë 2 viteve të fundit  Kosova ka mbetur vendnumëro në rastin më të mirë, e në disa raste ka bërë edhe hapa pas. Serbia u angazhua në mënyrë aktive në ndalimin e njohjeve të reja ndërkombëtare të Kosovës dhe tërheqjen e disa njohjeve ekzistuese. Nga ana tjetër, Kosova u gjend e kushtëzuar dhe e izoluar. Pa liberalizim vizash, pa aderim në institucione ndërkombëtare, në përplasje të vashdueshme me Tiranën zyrtare dhe së fundi, me udhëheqësit  e saj më të lartë në Gjykatën e Hages për krime lufte.

Kosova duhet të vrapoje që të fitoje kohën e humbur. Ky është shansi i vetëm  i Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje si shtetbërës por edhe e vete Kosovës në konsolidimin e saj si Shtet në  përballje me krimin dhe korrupsionin, krimet e luftës, rimëkëmbjen ekonomike, liberalizim të vizave dhe integrim të Kosovës në arenen ndërkombëtare.  Ky është “momentumi” i Kosovës, tani …neser do të jetë vonë.

/argumentum.al

© Argumentum