Kremlini: Vazhdimi i marrëveshjeve në Malësinë e Karabakut është e rëndësishme

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk shohin ndonjë kërcënim për zbatimin e marrëveshjeve në Malësinë e Karabakut pas zhvillimeve që ndodhën në Armeni, transmeton Anadolu Agency (AA).

Peskov iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në kryeqytetin Moskë, lidhur me zhvillimet në Armeni bashkë me thirrjen e bërë nga Forcat e Armatosura të Armenisë për dorëheqjen e kryeministrit, Nikol Pashinyan.

Në pyetjen nëse për shkak të ngjarjeve në Armeni shohin apo jo ndonjë kërcënim për zbatimin e marrëveshjeve të arritura lidhur me Malësinë e Karabakut, Peskov tha: "Jo, aktualisht të gjitha zbatohen. Pavarësisht zhvillimeve në Armeni, vazhdimi i marrëveshjeve në Malësinë e Karabakut është e rëndësishme".

Duke vlerësuar bisedën telefonike të zhvilluar dje mes kryeministrit armen Pashinyan dhe presidentit rus, Vladimir Putin, zëdhënësi Peskov deklaroi se "Nëse e keni ndjekur me kujdes tekstin e publikuar nga ana jonë, keni pasur mundësinë të shihni se Putin ka folur në favor të zgjidhjes së problemit në Armeni në kuadër të ligjeve. Ky qëndrim është shumë i rëndësishëm".

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armenisë, Onik Gasparyan dhe ushtarakë të nivelit të lartë, dje publikuan një deklaratë në të cilën kërkonin dorëheqjen e Pashinyan. Kryeministri armen këtë hap e ka cilësuar si "tentativë për grusht shteti" dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij të dalin në rrugë. Ndërkohë edhe opozita filloi protestën në rrugët e Jerevanit për të mbështetur thirrjen nga shefi i shtabit.