Liroi nga burgu të fortët/ SPAK arreston gjyqtaren Enkelejda Hoxha

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha është arrestuar të enjten e  11 shkurtit, me urdhër të SPAK.

Bashkë me gjyqtaren Hoxha është arrestuar edhe kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Ela Mallkuçi dhe avokati Aldo Tabaku. Janë arrestuar e shoqëruar mbi dhjetë persona të tjerë, identitetete të cilëve nuk bëhen ende me dije.

Për gjyqtaren Hoxha, Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, ka kërkuar edhe shkarkimin nga detyra.

Sipas raportit hetimor të ILD, gjyqtarja e Krujës ka dhënë 6 vendime në harkun kohor të maj 2017- nëntor 2019 që përbëjnë akte që diskreditojnë figurën e gjyqtarit.

ILD ka konstatuar se gjyqtarja Hoxha ka kryer procese tërësisht të njëanshme.

Enkeleida Hoxha njihet si një gjyqtare që jep vendime në favor të të dënuarve për krime të rënda, si brenda dhe jashtë vendit.

Më 7 nëntor të vitit 2017, Enkeleida Hoxha liroi nga burgu Genci Tafilin, vëllanë e Admir Tafilit, të dy emra shumë të njohur për drejtësinë shqiptare, të akuzuar dhe dënuar për disa vepra penale.

Genc Tafili është liruar në vitin 2017 me kusht nga Gjykata e Krujës nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, pasi kreu 17 vite burg.

Po në nëntor të 2017-ës, gjyqtarja Enkeleida Hoxha liroi edhe Ilir Pajën nga burgu, të njohur me nofkën “UFO” nga drejtësia italiane, pasi ishte arratisur tri herë.

Hoxha është gjyqtarja e Krujës, e cila ka firmosur lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle.