Lulzim Basha prezanton programin për shëndetësinë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi sot programin për shëndetësinë, “Shqipëria fiton shëndetësinë”.

Nga selia blu, kryedemokrati theksoi se pacienti do të vendoset në qendër të sistemit shëndetësor.

Basha premtoi se kur të vijë në pushtet pagat për infermierët do të bëhen 700 euro dhe për mjekët 1200 euro.

Gjithashtu ai premtoi se do të rrisë numrin e mjekëve dhe infermierëve dhe se do të hapë një fakultet të ri mjekësor.

“Sot, ne angazhohemi dhe u garantojmë gjithë shqiptareve se do të bëjmë një ndryshim në shëndetësi, që do te sjellë një jetë më të shëndetshme dhe me cilësore për të gjithë, pa përjashtim. Shqiptarët paguajmë më shumë nga çdo vend tjetër në rajon para nga xhepi për kujdesin shëndetësor. Ne angazhohemi që jo vetëm të ulim tarifat në mënyrë të ndjeshme, por edhe që këto para të mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin shëndetësor, por të kthehen përsëri tek ju me një shërbim cilësor dhe dinjitoz si për çdo qytetar Europian”,- tha Basha.

Duke u ndalur te pikat kryesore të planit, Basha tha se “pacienti do të vendoset në qendër të sistemit sipas parimit “paraja ndjek pacientin.” Ju vetë do të zgjidhni mjekun e familjes, klinikën, apo spitalin ku doni të kuroheni. Spitalet publike do të riorganizohen duke dhënë autonomi menaxheriale, për të rritur kujdesin dhe aftësinë për t’ju shërbyer ju sa më mirë. Do të ketë paga dinjitoze për mjekët dhe infermieret. Në programin tone Shqipëria fiton Shëndetësinë, paga e infermiereve do të behet 700 Euro dhe e mjekëve do te behet 1200 euro”.

“Ne do të rrisim numrin e mjekëve dhe do të hapim një fakultet të ri mjekësor në Shqipëri. Ne do të sigurojmë menjëherë bazën ligjore dhe do të ushtrojmë kontroll të plotë që në Shqipëri të shiten vetëm ilaçe të cilësisë së lartë të standardit të vendeve europiane. Ilaçet do të rimbursohen sipas diagnozës dhe jo sipas skemës aktuale kufizuese që lë jashtë saj shumë medikamente për njerëzit dhe i detyrojnë ata të paguajnë nga xhepi”,- thekson Basha.

“Riorganizimi i shërbimit të shëndetit publik do të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të jemi të përgatitur të përballojmë me sukses edhe sfidat e së ardhmes. Programi ynë Shqipëria fiton Shëndetësinë ka në fokus dhe kujdeset për shëndetin e secilit prej jush dhe brezave që vijnë. Mjekët dhe infermieret nuk do ta braktisin më vendin, sepse me planin tonë Shqipëria fiton shëndetësinë, do t’ia vlejë të punojnë në vendin e tyre. Dhe do të shpenzojmë më pak para nga xhepi për shëndetin dhe për mjekësinë!”,- theksoi Basha.

Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi duke u ndalur në disa nga pikat kryesore në këtë plan tha se “asnjë qytetar shqiptar nuk do të paguajë nga xhepi për analizat, diagnostikimin dhe mjekimin e tij. Ne do të ndjekim parimin: pacienti zgjedh ofruesin, paraja ndjek pacientin”.

“Çdo pacient do të marrë me rimbursim barnat që nevojiten për kurimin e sëmundjes bazuar në protokollet më të mira botërore të mjekimit. Do të reformojmë sektorin farmaceutik me qëllim që çdo shqiptar të marrë barna të cilësisë së njëjtë me një qytetar të Bashkimit Europian apo të vendeve të zhvilluara ekonomike. Ne do të rrisim numrin e studentëve që do të studiojnë për mjekësi, qoftë përmes rritjes së kapaciteteve aktuale të Fakultetit të Mjekësisë, apo hapjes së një fakulteti të ri publik”, tha ai.

Më tej Koduzi tha se specializantët do të paguhen me 950 Euro në muaj dhe do të zerojmë kuotën e studimit prej 115000 lekë si dhe duke lënë të hapur punësimin e tyre pas specializimit bazuar në konkurrimin e lirë pranë çdo spitali.

©  Argumentum