Masakra e 4 shkurtit/ Presidenti Meta: Antifashizmi dhe vlerat patriotike të Luftës, qëndrojnë në themel të lirisë,

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka kujtuar masakrën e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë. Në një postim në profilin e tij në facebook në 77-vjetorin e kësaj date, kreu i shtetit shkruan se kjo masakër është gdhendur në memorien historike të kombit, si një nga krimet më të egra çnjerëzore, të kryera veçanërisht ndaj popullsisë civile, nga pushtuesit nazistë dhe shërbëtorët e tyre kuislingë.

Postimi i plotë nga Presidenti i Shqipëri, Ilir Meta

Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë është gdhendur në memorien historike të kombit, si një nga krimet më të egra çnjerëzore, të kryera veçanërisht ndaj popullsisë civile, nga pushtuesit nazistë dhe shërbëtorët e tyre kuislingë.

Në 77-vjetorin e kësaj date kujtese dhe simbol të vuajtjes e qëndresës së Tiranës heroike, nderojmë sot me dhembje dhe respekt të lartë, kujtimin e paharruar të viktimave të pafajshme dhe sakrificat e jashtëzakonshme të qytetarëve tiranas, për Çlirimin e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë.

Antifashizmi dhe vlerat patriotike të Luftës, qëndrojnë në themel të lirisë, demokracisë, kontributit tonë në NATO dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. Krenarë, që në një nga periudhat më të errëta të njerëzimit, u rreshtuam në anën e duhur të historisë.