Mbërrijnë 8190 dozat e vaksinave anti-COVID nga Pfizer në Rinas/ Rama: Nuk kemi refuzuar vaksinën ruse dhe kineze...

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit kanë mbërritur 8190 doza të vaksinës anti-Covid nga kompania "Pfizer". Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrat Ahmetaj dhe Manastirliu tha në një komunikim me gazetarët se po punohet maksimalisht, që të sigurohen dozat e nevojshme e vaksinave për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve.

Shefi i qeverisë pohoi se plani ambicioz është që procesi i vaksinimit të përfundojë brenda 14 muajsh.

“Vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të AstraZeneca. Po ashtu jemi në komunikim dhe me 2 shtete të tjera, që të shtojmë sasinë e vaksinave në mënyrë, që të mos kemi asnjë moment ndalim apo rënie të tempit që të rrisim tempin progresivisht që të vaksinojmë popullatën brenda 14 muajve”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka refuzuar vaksinën kineze dhe as ruse, porse nuk është në planet e tij për të bërë ndonjë përpjekje apo negociatë në këtë drejtim, pasi siç tha ai është i bindur që nuk do të ketë rezultat.

Për këtë ai solli shembuj të shteteve që parimisht kanë rënë dakord për marrjen e këtyre vaksinave por në realitet nuk kanë ende asnjë dozë.

Duke folur nga Rinasi ku priti dërgesën e radhës nga Pfizer, Rama se sigurimi i vaksinave anti-Covid është një luftë e ethshme por që nuk lidhet me faktin se sa i fortë ekonomikisht është një shtet.

Rama: E kam ndjekur dhe këtë debat, diskutim apo muhabet. Dua të bëj një sqarim, askush të mos mendojë se vaksina kineze apo vaksina ruse është në tezga që mjafton të shkosh të paraqitesh, të paguash për ti marrë. Nuk është kështu, edhe ndonjë shtet që ka deklaruar në parim marrëveshje nuk ka marrë akoma gjë. Sasitë edhe për ato vaksina janë të kufizuara. Merrni numrin e të vaksinuarve në Rusi në krahasim me popullsinë nuk është një numër i atillë që të bën të besosh se sasitë në dispozicion janë të mëdha. Është çështje prodhimi për të gjithë. Së dyti, mbase është keqkuptuar apo interpretuar në një formë që nuk ka qenë adekuate ajo që unë kam thënë.

Ne nuk kemi asnjë arsye në botë dhe asnjë mundësi që të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalizimin e shkencëtarëve kinezë dhe rusë. Nga pikëpamja e vlerës së këtyre vaksinave nuk kemi asnjë dyshim apo kontestim. Por nga njëra anë janë vaksina ende të paprovuara në nivelin e OBSH, kjo nuk do të thotë se ne po u rrimë larg ngaqë janë të paprovuara. Nga ana tjetër ne nuk mendojmë dhe nuk kemi arsye të mendojmë se duke qenë të linjëzuar krejtësisht me BE kemi ndonjë prioritet në radhën shumë të gjatë edhe për ato vaksina. Nuk kam ndryshuar mendim, dhe arsyeja është në këto që thashë. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal të fjalës, por është një luftë politike në gjithë planetin, kjo e vaksinave. Është një luftë ekonomike dhe tragtare sepse nuk ka sasi.

Dhe pas këtyre dyjave është dhe një luftë që varet nga niveli i marrëdhënieve dhe raportet personale. Në të gjitha rastet dua ta bëj të qartë se nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë. Nuk kemi hedhur dhe nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve sepse jemi të vetëdijshëm që janë hapa që nuk ka asnjë arsye objektive që të çojë në rezultat. Është një fatalitet politik europian fakti që Maqedonia e Veriut detyrohet të kthejë sytë nga Kina dhe Rusia në mungesë të dozave për të filluar, kështu mund të numëroj shumë vende të tjera, përfshirë dhe Kosovën. Sidoqoftë ne i bëmë të gjitha lëvizjet e mundshme për të siguruar vaksinën. Vaksina kineze është qartësisht e suksesshme, mjafton të shikojmë Turqinë, Emiratet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite.

Po kështu fjalët që thuhen për vaksinën ruse janë të gjitha fjalë që bëjnë vlerësim pozitiv. Por ato vende që kanë kthyer kokën andej nuk e kanë marrë vaksinën akoma. Nuk është një pozicion refraktar, as nuk jemi me idenë që kurrë mos u vaksinofshim po nuk marrim vaksina të tjera përveç Pfizer dhe AstraZeneca. Kjo nuk është cështje parash.Çmimet e vaksinave po rriten sepse kërkesa është shumë e ethshme dhe oferta është shumë e vogël. Por sado të rriten çmimet e vaksinave nuk ka asnjë mundësi që ne të lëmë një dozë të vetme në dispozicion apo sado qofshin ato të lëmë një shqiptar të vetëm të presë përtej asaj që kemi mundësi ta bëjmë sepse çmimi është rritur.

Nuk janë në treg, nuk ka një treg diku që mund të shkosh dhe ti blesh. Për të hapur dyert për të marrë vaksinën duhet angazhim i gjithanshëm dhe këmbëngulje e tmerrshme. Kam menduar se gjëja më e vështirë ishte gjetja e fondeve për rindërtimin por në krahasim me vaksinën më duket proces normal. Do isha gati të rikthehesha tre herë atje dhe të mos të kisha këtë barrë sepse është çmenduri. Shteti ujk për shtetin, njeriu ujk për njeriun. Nevoja është kaq e madhe dhe një sasi e vogël që rri aty.