Misioni i OBSH-së: Asnjë tregues i virusit COVID-19 në Wuhan para dhjetorit 2019

Ekspertë të OBSH dhe të Kinës thanë në një konferencë të përbashkët për mediat se rezultatet e deritanishme tregojnë që një aksident në laborator apo që virusi të jetë krijuar nga njerëzit ka mundësi shumë të pakta, dhe kjo gjë nuk shpjegon përhapjen e tij të lartë. Ata shtuan që virusi që shkakton COVID-19 mund të ketë qarkulluar në rajone të tjera përpara se ai të identifikohej në qytetin kinez të Wuhan-it në fund të vitit 2019. 

Sipas studimit për identifikimin e origjinës së virusit, prejardhja e tij mund të jetë nga burime natyrore tek lakuriqët e natës, po kjo nuk do të thotë që ata të ndodheshin në Wuhan, pavarësisht se shpërthimi i epidemisë ndodhi aty. Në studim janë përfshirë dhe mijëra kafshë të tjera, shtëpiake apo të egra, të cilave iu janë kryer analizat e PCR, të cilat kanë rezultuar negative.

“Të gjitha studimet që janë bërë për virusin dhe identifikimin e origjinës së tij vazhdojnë që të orientojnë drejt burimeve natyrore të këtij virusi, dhe viruseve të ngjashme, në popullsinë e lakuriqëve të natës”, tha Peter Ben Embarek, specialist i OBSH.

Evidenca e deritanishme tregon që virusi të jetë përhapur në Wuhan gjatë dhjetorit të vitit 2019 ose në fund të nëntorit. Hipotezat janë që gjatë kësaj kohe ai të ketë udhëtuar edhe në Evropë apo në Itali. Sidoqoftë, ekspertët e OBSH dhe ekspertët kinezë nënvizuan që studime të mëtejshme duhen kryer.