"Ndarje klasore"', Rama i përgjigjet Metës për vaksinimin e personaliteteve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur presidentit Ilir Meta, në lidhje me vaksinimin e personaliteteve mbi 80-vjeç, përzgjedhje të cilën kreu i shtetit e cilësoi si tipike për diktatorët.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, kreu i qeverisë shprehet se po vihet kuja për gjenocid dhe diktaturë pse po vaksinohen disa personalitete mbi 80-vjeç.

‘Po ç'janë këta dembelë aktivë, siç i quan Konica, që kanë vënë kujën për gjenocid e diktaturë pse do vaksinohen disa personalitete mbi 80 vjeç, në kuadrin e vaksinimit të 80-vjeçarëve! Po mirë Tinka Kurti dhe Reshat Arbana fjala vjen, duhen lënë në fund vetëm pse janë të njohur?’, shkruan Rama.

Ndërkohë më herët, presidenti Ilir Meta u shpreh gjatë konferencës së përjavshme se nuk ka transparencë në procesin e vaksinimit dhe nuk mund të ketë ndarje klasore në këtë proces.

Sipas tij, ndarja klasore është një skemë tipike që zbatohet nga diktatorët.