Ngjyra si mesazh politik

Eksluzivisht për ARGUMENTUM                 

 Nga Dr. Jorgji KOTE      

 Shkrimtari i shquar irlandez, James Joyce ka      thënë se «  ngjyra është po aq e rëndësishme sa dhe e drejta »  Jeta i ka dhënë të drejtë kësaj teze në çdo fushë. Duke filluar nga  marketingu i produkteve të ndryshme. Sipas sondazheve zyrtare, rezulton se 90 për qind e klienteve kur vendosin për të blerë një mall të caktuar, ndikohen nga ngjyra.

Padyshim që krahas kulturës, sporti është fusha kryesore ku ngjyrimet marrin rëndësi të posaçme, duke filluar nga ngjyra e gjelbër e fushave. Ekipe të famshme njihen dhe thiren sipas ngjyrave të flamujve të tyre. Kështu, kemi «  tri kolorët «  e Francës, « Blutë » e Italisë, «  djajtë e kuq belgë, «  kuq e zinjtë » e Shqipërisë, etj.

Gjithsesi, këtu do të ndalemi te roli i madh i ngjyrave dhe ngjyrimeve në politikë. Duke filluar nga simbolet dhe flamujt kombëtarë, të partive dhe të veshjeve të liderëve politikë që kanë histori të lashtë plot mesazhe dhe ngjarje historike. Kështu, «trikolori » francez mishëron unitetin, lirinë dhe vëllazërinë, në Gjermani kundërshtimin ndaj rendit të ri të vendosur pas disfatës së Napoleonit, unitet dhe liri, në Belgjikë, përulësi, begati dhe fitore. Ndërsa flamuri i BE-së me 12 yje në sfondin blu mishëron unitetin, solidaritetin dhe harmoninë.

Ngjyrat janë përçuese me shumë efekte të mesazheve madhore politike. Shkrimtari i shquar britanik Robert Henry thekson se «  ngjyra merr rëndësi kur ajo jep një mesazh politik »  Veç kësaj, mesazhet që japin ngyrat dhe ngjyrimet e caktuara «  ngjitin » te një publik shumë më i madh, kudo e në çdo kohë, sidomos për brezin e ri.  Rrjetet sociale dhe teknologjia moderne e kanë përforcuar dhe më shumë këtë rol.

Në SHBA, kjo prirje shënoi një rikthim domethënës muajt e fundit, sidomos  në ceremonitë festive të fitores së Joe Biden më 4 Nëntor 2020 dhe inaugurimit të tij si President më 20 Janar në Capitol Hill. Ngjyra vjollcë që mbizotëronte në veshjet e grave dhe vajzave përveç se mbështetje ndaj lëvizjes feministe, ishte dhe simbol i afrimit partiak, nëpërmjet kombinimit të ngjyrës së  kuqe të Republikanëve dhe Blusë së  Demokratëve. Në fakt ky ishte dhe mesazhi kryesor i fjalës së Presidentit Joe Biden - Bashkim !

Në të dy rastet shkëlqeu Zv.Presidentja karizmatike Kamala Harris;  më 4 Nëntor me rastin e shpalljes së fitores ajo ishte veshur me kostum të bardhë. Kjo e bardhë  ishte kujtesë dhe homazh për gratë luftëtare amerikane  ose « suffragetet » siç njiheshin, të cilat në fillim të viteve 1900  pushtuan sheshet për të fituar të drejtën e votës, çka ndodhi më 1920. Kostum të bardhë ka veshur dhe Hilary Clinton, ish kandidatja për presidente gjatë fushatës së saj më 2016.  Po ashtu, në shkurt 2019, kur Trump mbante fjalën mbi gjendjen e kombit në Kongres, pothuajse të gjitha  antaret e tij demokrate ishin veshur me të bardha, si simbol i paqes.

2 - 3 javë më parë Kamala Harris u shfaq në revistën prestigjioze «  Vogue » e veshur me kostum ngjyrë rozë dhe jeshil. Ky ishte një mesazh nderimi për lëvizjen e grave me ngyrë të themeluar më 1909 dhe i shoqatës së studentqve « Alpha Kappa Alpha » ku Zona Harris bën pjesë qysh kur ishte studente.

Duke ardhur në Europë, në Gjermani «  veshja » ende  nuk është kthyer në «  modë politike » edhe pse shembujt nuk mungojnë.  Shquhen ish lideri i social-demokratëve dhe ish Zv.Kancelari Franz Münterfering, i cili nuk e hiqte asnjëherë Shallin  me ngjyrën e kuqe, simboli i SPD-së gjermane. Të njëjtën gjë bënte me pulovrën e  verdhë ish ministri i jashtëm legjendar i ndjeri Hans Dietrich Gescher, për të treguar kudo ku shkonte nëpër botë njyrën e partisë se vet liberale, e po kështu politikanë të gjelbër me ngjyrën jeshile, etj.

Vëzhguesit vërejnë  se të veshur me këto ngjyra politikanët sikur deklarojnë «  ja shihni,  unë jetoj dhe mendoj çdo minutë për Partinë e as nuk dua t’ia di as dhe një sekondë nëse më shkon kjo veshje »

Në Britaninë e Madhe  shquhet Mbretëresha mitike Elisabeta II. Në Qershor 2017, kur paraqiti programin e qeverisë së saj në Parlament, pati jehonë të gjerë ndërkombëtare kapelja që mbante me ngyrën blu të BE-së dhe disa inicie që u ngjanin yjeve të saj; në kushtet kur Mbretëresha nuk mund të shprehet për aspekte politike, ajo kapele jepte një mesazh të qartë dhe pa fjalë se Mbretëresha ishte në favor të qëndrimit në BE .

Veç aksesorëve të liderëve politikë, ngjyrat mishërojnë dhe reflektojnë dhe lëvizje të mëdha protestash demokratike  që mbahen mend më shumë për ngjyrën e tyre. Kështu flitet për «  Revolucionin Portokalli » në Ukrainë, «  Rozë » në Gjeorgji, apo për Revolucionin «  Kadife » në Çekoslovaki, për të treguar se ato ishin paqësore dhe pa dhunë, për «  Jelekverdhët » që tronditën Francën tani së fundi, për të rinjtë e të rejat «  këmishëkuq » dhe këmishëverdhë » si palë kundërshtare në protestat anti- qeveritare në Tailandë me 2006 etj.

Po ashtu,  gjatë krijimit të koalicioneve qeveritare në Belgjikë, Gjermani dhe gjetkë, flitet për «  koalicione suedeze, xhamajkiane, etj, në vartësi të ngjyrave të flamujve të partive që përfaqësohen në koalicione shumëpartiakë ; kjo e lehtëson tej mase idenrtifikimin dhe emërtimin e tyre praktik.

Në vendin tonë kjo traditë mungon pothuajse tërësisht; përjashtim bëjnë pjesëmarrësit në lëvizjet e protestave demokratike në vitet 90 të cilët dalloheshin për pardesytë e bardha me mesazhin se pranvera demokratike po afronte.

Në fakt, te ne, ngjyrat në veshjet e politikanëve kryesorë përdoren kryesisht,  për të mos thënë krejtësisht,  si aksesorë për një « look » ose pamje  sa më tërheqëse, si një dekoracion i jashtëm, si paradë « mode » në politikë, por pa mesazhe të caktuara, me përjashtim të ndonjë  jubileu festiv. Madje, në raste të caktuara ka dhe keqpërdorim të ngjyrave dhe në vetë  veshjen e liderëve, duke lënë një përshtypje jo të hijshme te homologët e tyre, dhe pse ata nuk e shprehin hapur në publik, por korridoreve  dhe të nënkuptuar. Kështu, të gjithë kemi parë se presidentët, kryeministrat dhe zyrtarë të tjerë brenda e sidomos jashtë vendit paraqiten me kostum blu, të zi ose të errët, me këpucë klasike dhe me kravatë gri, pa ngjyra të ndezura, pa lulka, zbukurime dhe shenja të tjera. Po ashtu ngjyrat e bardha e të ndezura në këpucë e ca më keq në atlete, sado firmato janë të papranueshme dhe shkelje të Kodit të shenjtë të veshjes dhe etikës. Sidomos kur ato nuk përmbajnë ndonjë mesazh të caktuar. Përjashtim pozitiv këtu ishte paraqitja e Kryeministrit Rama në manifestimin e madh ndërkombëtar të protestës më 11 Janar 2015  në Paris, kur u shfaq me xhepin me tri lapsa me ngjyrat e flamurit francez, çka dha imazh mbresëlënës kudo.

Veshja serioze e treguar më lart nuk është e rëndësishme vetëm nga ana estetike, por mbi të gjitha ajo jep mesazhin se lideri është në çdo moment në krye të situatës, në zyrë dhe në terren, kudoqoftë! Mirëpo ja që ky kod veshjeje që i kërkohet me të drejtë dhe zyrtarve më të thjeshtë në Administratën publike, fatkeqësisht shkelet dhe nga drejtues të lartë zyrtarë! Ndaj, kujdes me ngjyrat !

/argumentum.al

© Argumentum