Pandemia e ka goditur rëndë transportin ajror

Trafiku i pasagjerëve ra me 61% në 2020-n, duke zbritur në nivelin më të ulët që nga viti 2008. Si u nda tregu i operatorëve ajrorë. Kalimi i Londrës për herë të parë si destinacioni kryesor i fluturimeve

2020-a ishte viti me trafikun më të ulët të pasagjerëve në Aeroportin e vetëm Ndërkombëtar të Rinasit, që prej 2008-s. Sipas të dhënave të “Tirana International Airport” (TIA), përmes tij udhëtuan në total 1.3 milionë pasagjerë, me një rënie 61% në krahasim me vitin e kaluar.

Rënia vjen pas lulëzimit që shënoi trafiku i pasagjerëve vitet e fundit, i nxitur nga kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik, gjë që solli gjithnjë e më shumë turistë nga Jugu në Veri dhe rriti numrin e pasagjerëve që udhëtojnë me charter me destinacion vendin e shqiponjave, deri në momentin që filloi pandemia.

Tkurrja më e lartë në vitin 2020 u shënua drejt qyteteve italiane, që historikisht kanë qenë destinacionet kryesore të fluturimeve, të nxitura nga numri i lartë i emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj. Italia ishte e para që u godit nga kriza e COVID, duke bllokuar fluturimet, por edhe pas rifillimit të fluturimeve, rrugët mbetën të kufizuara.

Tregu ka shënuar ndryshime të mëdha, si për kompanitë, ashtu dhe për destinacionet kryesore të fluturimeve në 2020-n. “Wizz Air”, operatori hungarez me kosto të ulët, që hyri në 2019-n, ka kaluar i dyti, duke iu afruar kryesimit në tregun e fluturimeve, duke e shfrytëzuar pandeminë si një mundësi për të fituar terren, në një treg të dobësuar nga pandemia. “Blue Panorama” ka vijuar të mbajë kryesimin edhe për vitin 2020, me një diferencë shumë të ngushtë me “Wizz Air”. Terren ka fituar edhe “Air Albania”, duke u renditur i treti.

Për herë të parë, Londra është bërë destinacioni i parë i fluturimeve, i nxitur nga shtimi i kompanive që ofrojnë fluturime drejt kryeqytetit britanik, duke lënë pas Romën, e cila historikisht kishte fluksin më të lartë.

 

Burimi: TIA

 

Bie pesha e Italisë në tregun e fluturimeve, rritje e fortë e “Wizz Air” dhe “Air Albania”

Italia mbeti destinacioni kryesor i fluturimeve nga dhe drejt Rinasit, ndonëse shënoi rënie të fortë në 2020-n në të gjitha destinacionet kryesore. Nga dhe drejt qyteteve italiane udhëtuan 40% e pasagjerëve, gjithsesi me rënie të fortë, në krahasim me 50% në vitin 2019 dhe 54% në vitin 2018. Të gjitha kompanive u është dashur të konkurrojnë për tortën e zvogëluar të fluturimeve, pas tkurrjes së fortë të udhëtimeve, sidomos drejt qyteteve italiane.

“Blue Panorama” mbetet operatori më i madh, me 18% të tregut në 2020-n. Pas saj u ngjit me shpejtësi “Wizz Air”, që në vitin e dytë të operimit, ka arritur të marrë treg me 17% të totalit. Pasi nisi me fluturimet drejt Hungarisë në 2017-n, “Wizz Air” u zgjerua edhe në mes të vitit 2020, ndonëse në kulmin e pandemisë njoftoi dhe për fillimin e fluturimeve drejt 20 destinacioneve të reja. Sot “Wizz Air” ka fluturime në 23 destinacione në Itali, Austri, Gjermani, Francë, Belgjikë, Hungari, Holandë, Mbretëri e Bashkuar.

“Air Albania”, që filloi fluturimet drejt Stambollit në mes të 2019-s dhe në shtator drejt tre destinacioneve italiane (Milano, Bolonjë, Romë), në vitin e parë të plotë të aktivitetit është renditur e treta me 13% të tregut, e ndihmuar dhe nga fakti që në muajt e karantinës ishte e vetmja që operoi me fluturime. “Air Albania” ka fluturime drejt 9 destinacioneve në Turqi, Itali, Gjermani e Mbretërinë e Bashkuar. Kompania ka zëvendësuar “Turkish Airlines”, që nuk figuron më të ketë fluturime nga dhe drejt Tiranës. Kjo kompani është tashmë zotëruese e 49% të operatorit “Air Albania”, e cila i shërben edhe linjës historike Tiranë-Stamboll-Tiranë.

“Alba Wings” është në vend të katërt, ndërsa pesha e tregut u rrit në 12%, nga 10% në 2019-n. Kompania është zgjeruar përtej Italisë, duke nisur fluturimet edhe drejt Gjermanisë (Dyseldorf, Hamburg, Frankfurt) dhe Londrës dhe Francës (Lille, Lesquin).

Operatorët kanë përfituar dhe nga dalja nga tregu e “Fly Ernest”, që në 2019-n zotëroi 17% të tregut. Kompania, që prej fillimit të muajit janar të 2020-s nuk fluturoi më, pasi licenca e saj u pezullua nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil.

“Alitalia” ka vijuar të humbë pjesën e tregut në raport me disa vite më parë. Nga 32% në 2015-n (më i madhi pas daljes nga tregu të “Belle Air”), në vitin 2020, përmes operatorit ajror italian u realizuan vetëm 6% e fluturimeve.

“Easy Jet”, një tjetër kompani me kosto të ulët, nisi fluturimet në fund të 2019-s dhe ka arritur në fund të vitit 2020 të ketë 3% të tregut. Operatorët e tjerë, “Austrian, Airlines”, “Aegean”, “British”, kanë mbajtur pak a shumë të njëjtat pozicione si vitin e mëparshëm, me 4-5% të tregut. “Lufthansa” ka zbritur në 2% të tregut, pas rritjes së kompanive që ofrojnë fluturime drejt destinacioneve gjermane. “Adria Airways”, e cila shpalli falimentimin në tetor 2019, la të lirë 4% të tregut.

 

Burimi: TIA

 

Të gjitha rrugët, tani të çojnë në Londër, më shumë fluturime dhe drejt Gjermanisë

Për herë të parë, qyteti ku dhe prej të cilit është fluturuar më shumë nga Rinasi është Londra, me 10% të trafikut total të pasagjerëve, duke ia kaluar Romës, e cila historikisht renditej e para. Ndonëse edhe fluturimet nga dhe drejt kryeqytetit britanik ranë me 41%, sërish është renditur i pari, për shkak të rënies më të fortë të destinacioneve italiane. Pas operimit të katër linjave direkte “British”, “Wizz Air”, “Alba Wings”, “Air Albania”, Londra është bërë një destinacion i preferuar, me 131 mijë pasagjerë në 2020-n, duke u ngjitur nga vendi i katërt në vitin 2019.

Roma dhe Milano kanë qenë historikisht dy destinacionet kryesore nga dhe drejt të cilave udhëtohej nga Aeroporti i Rinasit. Por, pandemia e COVID-19 ka ndikuar më së shumti këto dy qytete, sidomos Romën. Më i fortë ishte reduktimi me Romën, me 72%, ndërsa me Milanon, -60%, duke e zhvendosur këtë të fundit si më të preferuarin nga destinacionet italiane dhe të dytin në total. Roma ka zbritur në vendin e katërt.

Edhe destinacione të tjera italiane, që panë një tkurrje që kanë parë rritje të fortë ishin Venecia (-65%), Xhenova (-75%), Piza (-69%), Bolonja (-60%), Bergamo (-75%), Bari (-44%) etj.

Sipas të dhënave të TIA, trafiku i pasagjerëve sipas rrugëve të skeduluara të qyteteve italiane ra me 65.5% në 2020-n në raport me vitin e mëparshëm, më e lartë se tkurrja prej rreth 60% e gjithë tregut. Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin rreth 580 mijë persona në vitin 2020, duke përbërë 40% të trafikut gjithsej, nga 50% vitin e mëparshëm.

Stambolli renditet në vend të tretë, me 117.6 mijë pasagjerë (-53% rënie). Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht drejt vendeve aziatike, por dhe destinacioneve të tjera të Europës dhe atyre të largëta.

Ndonëse me destinacionet gjermane, trafiku ka rënë, si rrjedhojë e pandemisë është shtuar numri i qyteteve drejt dhe nga të cilat mund të udhëtohet nga Rinasi, si rrjedhojë e zgjerimit të “Wizz Air”, por edhe operatorëve të tjerë. Trafiku nga dhe drejt qyteteve gjermane përbënte gati 12% të totalit në 2020-n, nga rreth 7% vitin e mëparshëm./MONITOR