Pas SHBA-së, vjen apeli dhe nga BE, Komisionerja Europiane: Kujdes me kandidatët, të jenë me integritet,

Gjatë një konference të përbashkët me kryenegociatorin Zef Mazi, Komisionerja e BE për punët e Brendshme Ylva Johansson deklaroi se partitë politike në Shqipëri duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për integritetin e kandidatëve për zgjedhjet e 25 Prillit.

Shqipëria po i afrohet zgjedhjeve dhe të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësitë që të kenë integritet të kandidatëve në lista. Ky ka qenë një takim vërtetë shumë i mirë dhe jam këtu për t’ju uruar për këtë progres por sigurisht që akoma më shumë duhet bërë”, u shpreh Johansson.

Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Europian, Zef Mazi ka zbardhur detaje nga takimi që zhvilloi sot kryeministri Edi Rama me Komisioneren e BE-së, Ylva Johansson.

Sot kryeministri pati kënaqësi që të presë në një takim komisioneren për çështjet e brendshme në BE, zonjën Johansson, me të cilën pati një diskutim të hapur mbi bashkëpunimin tonë të deritanishëm me BE, rreth gjithë gamës së çështjeve që përfshirin tematika e çështjeve të brendshme. Kjo vizitë zhvillohet në kohën e duhur, me një fokus të rëndësishëm për Shqipërinë. Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE. Çështjet që diskutuan kryeministri me komisioneren kanë ndikim në përparim tonë përpara. Kryeministri dhe komisonerja ranë dakord se bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe BE, bazohet jo vetëm tek vlerat e përbashkëta që ndajnë, por te interesi ynë i ndërsjelltë, për më shumë siguri për qytetarët tanë. Kryeministri evidentoi listën e gjatë të arritjeve të shënuara nga autoritetet tona. U prekën aspekte të rëndësishme, bashkëpunim policor, me agjencitë ligjzbatuese të BE, çështjet e kontrollit ndërkufitar dhe çështjet e emigracionit”, tha Mazi.

Ajo theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të mirë policor dhe një zbulim të krimit në kufijtë tanë.

“Shqipëria dhe BE kanë një bashkëpunim me të gjitha agjencitë në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme. Është një model që duam ta përsërisim në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Jam po kështu e kënaqur që reforma të mëdha në vend, si reforma në drejtësi, ligji i azilit që Shqipëria ka mundur të miratojë. Sigurisht që ka shumë fusha për përmirësim. Për shembull problemi me kërkesat e pabazuara për azil në disa nga shtetet anëtare të BE. Është e rëndësishme të vazhdohen reformat në këtë drejtim, për sundimin e ligjit dhe për të pasur këtë bashkëpunim të mirë”, tha komisionerja.

Ajo u ndal dhe tek zgjedhjet e 25 prillit, teksa theksoi se partitë duhet të marrin përgjegjësitë për kandidatë me integritet. Kujtojmë se kjo thirrje është bërë vazhdimisht edhe nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Shqipëria po i afrohet zgjedhjeve dhe të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësitë që të kenë integritet të kandidatëve në lista. Ky ka qenë një takim vërtetë shumë i mirë dhe jam këtu për t’iu uruar për këtë progres por sigurisht që akoma më shumë duhet bërë”, tha komisionerja europiane.