Përgjimet/ Dënohen me burg ish-shefi i Shërbimit sekret të Maqedonisë së Veriut dhe ish-ministrja e Brendshme

Ish-shefi i Shërbimit sekret të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, u dënua të premten me 12 vjet heqje lirie, ndërsa ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska me 4 vjet heqje lirie, lidhur me rastin e koduar si “Target-Kështjella” që kishte të bënte me përgjimin në masë të bisedave telefonike të më se 20 mijë qytetarëve.

Të dy këta dhe 10 persona të tjerë u shpallën fajtorë për veprat penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Prokurorja Lençe Ristovska kërkoi masën e paraburgimit për ish-shefin e Agjencisë së Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, për shkak të ngjarjeve të para pak ditësh, kur ai u arratis dhe për dy ditë ishte i pakapshëm për organet e drejtësisë dhe të rendit. Gjykata Penale e pranoi kërkesën për masën e paraburgimit deri në hyrjen në fuqi të dënimit.

Ndërkohë, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tanimë është dënuar për një vepër tjetër me katër vjet heqje lirie.

Me nga 15 vjet heqje lirie u dënuan ish-agjentët Goran Gruevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët u arratisën para 3 vjetësh e gjysmë në Greqi, e cila nuk u është përgjigjur kërkesave të Shkupit për ekstradimin e tyre.

Dy të tjerë u dënuan me nga 3 dhe 6 vjet heqje lirie, ndërsa të tjerë iu shqiptuan dënime me kusht.

Në rastin “Target-Kështjella” ishin përfshirë 12 persona, ish-zyrtarë të lartë qeveritarë, agjentë dhe drejtues e përfaqësues të agjencive të sigurisë.

Për disa nga të dënuarit, koha e qëndrimit në paraburgim apo në arrest shtëpie do t’u llogaritet në kohëzgjatjen e dënimit me heqje lirie.

Skandalin e përgjimit të bisedave telefonike të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve e shumë qytetarëve të tjerë të njohur në opinionin publik si “bombat” e publikoi në fillim të vitit 2015 kryeministri Zoran Zaev, atëbotë drejtues i opozitës.