Policia paralajmëron për rrezikun e vjedhjes së të dhënave përmes ‘WhatsApp’

Policia e shtetit paralajmëron lidhur me rrezikun e vjedhjes së të dhënave personale të përdoruesve të ‘WhatsApp’ përmes një skeme mashtrimi që po qarkullon dendur mes përdoruesve.

Përmes një deklarate për mediat policia e cilëson situatën si shumë serioze, teksa sqaron me detaje se si funksionon skema mashtruese dhe si duhet shmangur ajo.

“Aplikacioni ‘WhatsApp’ aktivizohet në pajisjet e zgjuara nëpërmjet një procedure e cila është e përcaktuar nga kompania dhe për të bërë lidhjen e aplikacionit me numrin e telefonit të përdoruesit ose krijimin e llogarisë, kompania ‘WhatsApp’ dërgon një kod gjashtëshifror në numrin tuaj të telefonit. Më pas, me anë të këtij numri, llogaria juaj aktivizohet.

Përdorues të panjohur, deri më tani kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të aplikacionit ‘WhatsApp’ duke regjistruar në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në ‘WhatsApp’ kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim”, sqaron policia teksa shpjegon se jo kërkesë në ‘WhatsApp’ vjen nga një person i cili ka njohje të mëparshme me viktimën dhe që ka qenë dhe ai/ajo viktimë e këtij sulmi.

Policia këshillon qytetarët që asnjëherë të mos e ndajnë kodin e tyre gjashtëshifror me një person tjetër si dhe të mos ndajnë informacionin personal me asnjë person tjetër.

“Bëni kujdes nëse një kontakt i juaji apo një person i panjohur ju kërkon kthimin e një mesazhi të gabuar apo kërkon me çdo mënyrë të kontaktojë me ju”, apelon policia.