Presidenti Meta thërret në takim përfaqësues të Qeverisë, Rektorë dhe Profesorë të Universiteteve Publike: Të garantohet cilësia e procesit mësimor në kushtet e pandemisë,

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, me kërkesë të Tij, zhvilloi  një takim me përfaqësues të Qeverisë, Rektorë dhe Profesorë të Universiteteve Publike në vend, lidhur me ecurinë e procesit mësimor në kushtet e pandemisë.

Në këtë takim, të organizuar nëpërmjet një video-konference  merrnin pjesë edhe Presidenti i Universitetit “James Madison” në Virxhinia, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Jonathan R. Alger si dhe profesori i këtij Universiteti, z. Andreë T. Guertler.

Fillimisht, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë e  informuan  Presidentin Meta, lidhur me planin e masave për mbrojtjen e shëndetit të studentëve dhe mbi mundësitë, që një pjesë e provimeve të mund t`i zhvillojnë në auditore.

Rekorët e Universiteteve në vend, por edhe profesorët amerikanë pjesë e panelit, theksuan se, në kushtet e mësimit online, mungesës së shtrirjes së internetit në zonat rurale dhe pajisjeve të duhura teknologjike, është tepër e rëndësishme një plan efektiv masash për të garantuar cilësinë e procesit mësimor.

Kreu i Shtetit, pasi përgëzoi profesorët e rektorët për punën dhe  solidaritetin e treguar, i siguroi  për mbështetjen e Tij të plotë, duke theksuar ndër të tjera se:

“Ju përgëzoj për përpjekjet tuaja për të bërë të mundur, që studentët të jenë në auditore për provimet. Duhet të investohet më shumë në teknologji, për t’ju garantuar aksesin e plotë online në procesin mësimor.

Jam i ndërgjegjshëm se disa kufizime të imponuara nga pandemia në procesin mësimor, kanë qenë dhe mbeten të domosdoshme për të parandaluar dhe penguar, përhapjen e infeksionit te nxënësit, studentët, mësuesit, pedagogët dhe familjet e tyre, sepse shëndeti dhe mbrojtja e jetës së tyre është prioritet absolut.

May be an image of 9 people, indoor and text that says 'ENGNN ArianPaço Arian Paço Daniela Hasa Recorder Recording 00:00:43 Daniela Hasa Mute Pause Stop'

Por duhet të realizohen investime të domosdoshme në platforma teknologjike të avancuara, për të ruajtur dhe garantuar cilësinë e mësimdhënies, për të vazhduar formimin teorik, por dhe të specializuar, si dhe në veçanti për ushtrimin e domosdoshëm të praktikave laboratorike dhe klinike.

Është tepër e rëndësishme të sigurohet zhvillimi i praktivave mësimore, si dhe krijimi i të gjitha kushteve për t’u dhënë studentëve akses të plotë në internet, me tarifa të ulta, gjatë kësaj periudhe të vështirë.

I mirëpritur vendimi për të pranuar kërkesën e studentëve dhe pedagogëve për të dhënë provimet në auditore dhe zgjatur sezonin e provimeve.”, - u shpreh Presidenti Meta.

Nga ana e tyre, rektorët e Universiteteve Publike në vend, por edhe profesorët e ftuar të Universitetit Amerikan, prezantuan para Kreut të Shtetit sugjerimet e tyre lidhur me mbarëvajtjen e procesit mësimdhënies.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, z.Arben Gjata sugjeroi që, me afrimin e stinës së pranverës, studentët të rikthehen në auditore, duke zbatuar çdo masë efektive për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së tyre. “Të gjithë studentët e mjekësisë dhe infermierisë e kanë të nevojshme të bëjnë praktikën, në spitalet e qyteteve ku banojnë, në mënyrë që të mbështesin edhe sistemin tonë shëndetësor për nevojat, që mund të ketë, në kushtet e pandemisë”, - u shpreh z.Gjata.

Rektor i Universitetit Bujqësor, z.Fatbardh Sallaku theksoi se, Universiteti Bujqësor ka shumë specifika që e bëjnë të detyrueshëm mësimin në klasë. Sa i përket sigurisë së cilësisë së procesit të provimeve, ai u shpreh se kanë rënë dakord, që rreth 80% e provimeve të zhvillohen online, ndërsa 20% e tyre në klasë.

Z.Skëndër Topi, Rektor i Universitetit i Elbasanit ‘Aleksandër Xhuvani”, parashtroi se 90% e studentëve aktualisht marrin pjesë online. Por gjithashtu vuri në dukje faktin se, studentët në zonat ruale kanë pamundësi aksesimi në internet. Sipas tij, vështirësitë më të mëdha po ndeshin studentët e viteve të para, prania e të cilëve në auditore do të ishte lehtësuese.

Rektore e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, znj.Suzana Golemi, theksoi nevojën, që studentët e viteve të para të ndjekin mësimin në auditore, si e vetmja masë efektive sipas saj, për të garantuar cilësinë e procesit mësimor. “Ky sugjerim vjen pas konstatimit të pamundësisë së studentëve, për të aksesuar mësimin online, ndërsa rikthimi në auditore do garantonte pjesëmarrjen e tyre në nivelin 75-80%”, - u shpreh znj.Golemi.

Ksanela Sotirofski, Rektore e Univesritetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, ishte e mendimit që shumica e provimeve të zhvillohen në auditore për një periudhe 2- 5 javore.

Ndërsa, z.Jonathan R. Alger, President i  Universitetit ‘James Madison’ në Virxhinia, në prezantimin e përvojës amerikane, vuri theksin në nevojën për mbrojtjen e shëndetit të studentëve dhe profesorëve, por pa anashkaluar nevojën për përmirësimin e metodave të edukimit për të maksimalizuar të mësuarit.

©  Argumentum