Qeveria maqedonase ndan 160 milion euro ndihmë financiare për bizneset dhe qytetarët

Qeveria prezantoi 29 masat nga pakoja e pestë që synojnë rimëkëmbjen ekonomike dhe tejkalimin e krizës. Ndihma parashikohet për prodhuesit e duhanit, zejtarët, sektorin e turizmit dhe gastronomisë, transportuesit dhe mediat. Kompanitë do të kenë mundësinë të zgjedhin midis kredisë pa interes ose ndihmës për paga, por me kushte të ndryshuara. Ndihma për pagat do të sigurohet në mënyrë të shkallëzuar, si më parë, për kompanitë që kanë pasur rënie prej 30 % të të ardhurave në nëntor dhe dhjetor 2020 dhe janar 2021, krahasuar me vitin e kaluar. Por, nëse nuk dëshirojnë t’i kthejnë paratë në buxhet, atëherë do të duhet t’i investojnë, raporton Alsat.

“Me këtë pako masash i stimulojmë kompanitë që të tregojnë fitime, dhe nëse ata vendosin të investojnë, atëherë nuk kanë pse t’i kthejnë paratë në buxhet. Kjo është një risi që duhet të përcaktohet qartë, sepse po shkojmë drejt daljes nga kriza, drejt rimëkëmbjes së ekonomisë etj. T’i motivojmë të gjitha kompanitë”, theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

E gjithë pakoja peshon 160 milion euro, ndërsa direkt nga arka e shtetit do të tërhiqen 91 milion euro. Por tani për tani, në buxhet janë në dispozicion vetëm 50 milionë euro. Pjesa tjetër do të sigurohet me rebalanc, tha Ministri i financave Fatmir Besimi.

“Ne kemi ndarë 50 milion euro në programin Kovid vetëm për masat dhe tashmë nga pakoja e pestë e masave, sipas dinamikës, 50 milion euro është paraparë të realizohen në gjysmën e parë të vitit, varësisht asaj si do realizohen masat e parashikuara, ndërsa  përmendëm edhe vitin e kaluar, do të kemi korrigjim të duhur të buxhetit”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Me pakon e fundit qytetarëve do t’u shlyhen kamatat e borxheve ndaj institucioneve publike dhe kompanive për faturat e vonuara për ujin, kanalizimin, DAP, tatimin e pronës dhe të ngjashme. Borxhi kryesor duhet të ndahet në 12 këste mujore, ndërsa kamata duhet të shlyhet tërësisht. Kjo pako sipas kryeministrit Zaev, plotësohet nga katër pakot e tjera dhe ka për qëllim të stimulojë ekonominë dhe vitin ta përfundojmë me rritje prej 4 deri në 5 përqind.

/argumentum.al