Rama nga Rinasi: “Një shtet mik do të na japë 360 mijë doza Astra Zeneca”

Në një komunikim LIVE nga aerporti “Nënë Tereza”, pas mbërritjes të 7020 dozave të vaksinave nga kontrata me kompaninë Pfizer, të cilat do të pasohen me lëvrime të tjera në javët në vijim, kryeministri Edi Rama ka folur sërish mbi planin e qeverisë për vaksinimin e popullatës.

Sipas kreut të qeverisë, ky nuk është problem fondesh, ndërsa vaksina nuk është një produkt që pret në treg.

“Presim konfirmime nga AstraZaneca dhe shtete të tjera në ditët në vijim. “Vazhdojmë me lëvrimin e një sasie tjetër nga Pfizer. Është e rëndësishme që të shpjegojmë ecurinë e kësaj situate sepse fillimisht mbërritën 1170 doza.

Sot mbërrijnë 7020 doza dhe sipas skedulit të ri të dhënë nga kompania pas atij momenti bllokimi, vazhdojmë javët në vijim për të përmbyllur brenda marsit të gjithë dozat që kemi deklaruar fillimisht. Ajo që është e rëndësishme të shpjegohet për të kuptuar qytetarët që presin vaksinën është se ndërkohë ne jemi intensivisht në komunikim për të arritur një marrëveshje me AstraZenecan. Përveç komunikimit të drejtëpërdrejtë, komunikimet po bëhet dhe me shtetet e tjera. Kemi marrë konfirmimin nga një shtet mik për 360 mijë doza të AstraZeneca-s.

Nuk dua të konfirmoj asgjë përderisa nuk kemi vulosur marrëveshjen, pasi në një situatë si kjo, çdo fjalë mund të duket si propagandë. Konfirmimi është si rezultat i një komunikimi intensiv dhe shpresoj që në ditët në vijim të kemi një kontakt të drejtëpërdrejtë me qeverinë e këtij shteti dhe aty gjithçka të jetë publike”.