Rasti “Monstra”, PDIU reagon për protestën në Shkup: Policia e RMV-së pengoi qytetarët në ushtrimin e së drejtës për të protestuar

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar për rastin “Monstra” në Shkup.

Në reagimin e saj PDIU shprehet se policia e Maqedonisë së Veriut i pengoi qytetarët të shprehin mendimin e lirë dhe ushtrimin e së drejtës për të protestuar.

"Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka ndjekur zhvillimet pas protestës kundër vendimit për rastin “Monstra” në Shkup. Pavarësisht se organizatorët ishin shprehur qartë për të protestuar paqësisht dhe kishin marrë lejet e nevojshme nga autoritetet, policia e Maqedonisë së Veriut i pengoi ata në shprehjen e mendimit të lirë dhe ushtrimin e së drejtës për të protestuar," - thuhej në deklaratën zyrtare shkruar në faqen e Facebook.

DEKLARATË
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka ndjekur zhvillimet pas protestës kundër vendimit për rastin “Monstra” në Shkup. Pavarësisht se organizatorët ishin shprehur qartë për të protestuar paqësisht dhe kishin marrë lejet e nevojshme nga autoritetet, policia e Maqedonisë së Veriut i pengoi ata në shprehjen e mendimit të lirë dhe ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
Intimidimi i qytetarëve shqiptarë për të shuar zërin e protestës, u vu re qartë në praninë e madhe dhe të pajustifikuar policore dhe provokimet e tyre, ç’ka shkaktoi edhe percipitimin e situatës dhe dëmtimin dhe arrestimin e disa qytetarëve.
E drejta për tubim dhe protestë paqësore janë elementë thelbësorë në një demokraci. Për PDIU-në, ndalimi, arrestimi dhe keqtrajtimi i protestuesve nuk është asfare shenjë e forcimit të bashkëjetesës dhe kohezionit ndëretnik në Maqedoninë e Veriut.
Ne mendojmë se për të afruar komunitetet, ndaluar diskriminimin mbi baza etnike dhe stimuluar pjesëmarrjen në proceset demokratike, duhet më së pari vullnet politik. Ndaj, i bëjmë thirrje autoriteteve maqedonase të lirojnë të arrestuarit dhe të lejojnë qytetarët të shprehin mendimet e tyre lirisht. I bashkohemi thirrjes së partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar në zbardhjen e rastit “Monstra”