Shkencëtari gjerman: Kam prova që virusi doli nga laboratori

Nanoshkencëtari gjerman Roland Wiesendanger pretendon se ka prova që virusi SARS-CoV 2 nuk kaloi nga kafshët te njerëzit, por nisi në një laborator.

Shkencëtari i Departamentit të Fizikës, Universiteti i Hamburgut, i tha medias gjermane se për teorinë e tij ka gjithsej 600 prova të mbledhura në 2019 dhe 2020.

“Informacioni rreth virusit dhe botimet e shumta në revistat profesionale dhe në mediat sociale tregojnë se koronavirusi ishte një aksident në laborator. COVID-19 erdhi nga laboratori në Vuhan”, pretendon Wiesendanger.

Sipas tij, virusi “ngjitet” shumë mirë në receptorët e qelizave njerëzore dhe arrin të depërtojë në to, gjë që nuk ishte tipike për shtame të hershme të viruseve korona dhe kjo tregon një origjinë të panatyrshme.

Ai gjithashtu thekson që lakuriqët e natës nuk po shiten në tregun e Vuhanit, i cili u quajt epiqendra e infeksionit.

Wiesendanger pret që do të ketë studime dhe kërkime të mëtejshme mbi origjinën e koronavirusit në javët dhe muajt e ardhshëm, dhe shpreson për prova që do të mbështesin tezën e tij.

Pak ditë më parë, ekipi i ekspertëve që OBSH dërgoi në Kinë doli me konkluzionin se virusi e ka origjinën nga kafshët.