“Shqipëria fiton….një besim të Ri”

Republika duhet të ringrihet….bashkë me të tillën Shteti dhe shoqëria …ringritje nga hiri i prishjes së secilës balancë  dhe ndarjeje  që garantonte bashkëjetesën e harmonishme shoqërore në secilën segment të së tillës….ringritja dhe rimëkëmbja mund të realizohet përmes një besimi të ri që buron nga një vizion i qartë qeverisës ku liria shoqërore dhe mundësia për individin përbëjnë thelbin e zhvillimit të qëndrueshëm të një shoqërie. Shoqëria ka nevojë të fitojë një Besim të Ri;- i tilli besim për njëri tjetrin, për Shtetin dhe Republikën, për rendin e së drejtës, besim tek zgjedhjet ku përmes angazhimit individual  dhe pjesëmarrjes masive mund të ketë një ndryshim politik dhe shoqëror ; një besim i Ri tek politika si instrumenti i vetëm që mund të jetësojë vizionin e ndryshimit; një besim i Ri që në Atdhe mund të jetohet normalisht dhe një ftesë për kthimin e atyre që u larguan gjatë këtyre shtatë viteve….një kthim për të mos u larguar sërish; një Besim i Ri për një mendësi të re që buron nga pasioni për mbrojtjen e lirisë shoqërore dhe rendit shtetëror demokratik, gjithashtu. Një Besim i Ri që bashkimi i së tashmes për të ardhmen do të mbetet i tillë dhe në të ardhmen për të mos përsëritur kalvarin e së sotmes që do të konsiderohet e shkuara në një të nesërme ndryshe.

Besimi i Ri nuk është marka që përshfaq luksin qeverisës që endet zyrave të padrejtësisë….në të tillat hapësira të bollshme ku nis dhe bitis vizioni i mbrapshtisë qeverisëse që shkakton zbrazëtinë shoqërore në kufijtë e skajshëm së humbëtirës dhe errësirës…errësira që ka mveshur dritën e besimit, shpresës….dritën e një zgjidhjeje përmes zgjedhjeve që do të shënonte një fillim të ri të bazuar kah normaliteti…i tilli meritor për një Shqipëri që vuan zgjedhën e pamundësisë së imponuar nga secili segment keqqeverisës; pamundësi që godet lirinë individuale dhe të tillën shoqërore, që mbyllet  në mendësinë e reagimit të munguar që bazohet në heshtje. “Muri i Madh i Heshtjes”  është ndërtuar nga keqqeverisja si një dobi e së tillës për të shuar zërin qytetar në rrjedhën e madhe të pandjeshmërisë njerëzore së figurantëve qeverisës.

Keqqeverisja e mbrujtur në të pavërtetën si virtyt  është kryefjala e secilit ves që formëson mozaikun e mëkateve ndaj qytetarit, shoqërisë dhe Republikës, gjithashtu. Angazhimet e braktisura, premtimet e harruara, zgjidhjet  pa zgjidhje, votimet pa zgjedhje, qytetari pa qytet, media pa gazetari  dhe Republika pa shtet…….enumeracioni negativ që shënon pararendjen drejt autokracisë qeverisëse që e ka dërguar vendin drejt një udhëkryqi që rreket të mjegullojë qartësinë dhe vokacionin e shoqërisë shqiptare kah vlerave të demokracisë. Një Besim i Ri është thelbësor në përpjekjen njerëzore dhe politike  për të ndalur instalimin e plotë të autokracisë dhe për të përmisuar shumëçka në një Shqipëri që  do të ringrihet sërish…përmes një angazhimi të sotëm në një program qeverisjeje koalicioni që është mesazhi i qartë politik për një vendimmarje të orientuar nga objektiviteti që do të përfshijë ndjeshmëritë e flukseve të ndryshme shoqërore. Një Besim të Ri për një parti politike, për një kandidat për  Kryeministër, për një ekip politik që kanë dëshmuar forcën e pranimit të gabimeve të shkuarës dhe kanë vullnetin për të përmirësuar trashegiminë pozitive të së shkuarës. Shqipëria ka nevojë për një Besim të Ri….Shqipëria fiton një Besim të RI për një ngritje të shpejtë, për një ndryshim thelbësor, për një qeveri normale dhe  Kryeministër normal, për ditë më të mira dhe për një shpresë të re. Bashkë sepse ka ende shpresë…

© Argumentum