Shuhet në moshën 79-vjeçare Lefter Çipa, mjeshtër i madh i poezisë popullore

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare poeti vlonjat, Lefter Çipa. Mësohet se poeti ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Ai ka lënë pas një krijimtari të gjerë në libra e tekste këngësh.

Lefter Çipa ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh. Çipa do të mbetet në mendjen e shqiptarëve si mjeshtri i madh i poezisë popullore.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Lefter Çipa është autor i 18 librave të botuar me poezi si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj. Konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë.

Lefter Çipa është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.