Zëri i Amerikës shënon 79 vjetorin

Zëri i Amerikës shënon sot 79 vjetorin.

Fillimi i Zërit të Amerikës në vitin 1942 ishte modest: një transmetim i drejtpërdrejtë 15 minutësh në radio me valë të shkurtra. Transmetimi i drejtohej Gjermanisë nga një studio e vogël në qytetin e Nju Jorkut.

Sot, Zëri i Amerikës, i financuar nga Shtetet e Bashkuara, por i pavarur, arrin çdo javë më shumë se 280 milionë njerëz në të gjithë globin në më shumë se 40 gjuhë të botës.

Lajmet dhe materialet e tjera, që mbulojnë gamën e ekzistencës njerëzore në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë, përçohen nëpërmjet platformave dixhitale, televizive dhe të radios dhe mund të shikohen dhe dëgjohen në telefona celularë apo në mediat sociale. Materialet e Zërit të Amerikës shpërndahen në një rrjet prej më shumë se 2,500 stacionesh në vendet e tjera.

Në transmetimin e parë në vitin 1942, pak më shumë se shtatë javë pasi Shtetet e Bashkuara kishin hyrë zyrtarisht në Luftën e Dytë Botërore, njerëzit dëgjuan në fillim këngën patriotike amerikane "Himni i Betejës së Republikës".

Pastaj, folësi William Harlan Hale tha: “Ne ju sjellim zëra nga Amerika. Sot, dhe çdo ditë më pas, do t'ju flasim për Amerikën dhe për luftën. Lajmet mund të jenë të mira për ne. Mund të jenë të këqija. Por ne do t'ju themi të vërtetën."

Kjo është një moto, e cila që nga viti 1976 është e përfshirë në Kartën e Zërit të Amerikës. Me ligj, ajo kërkon që Zëri i Amerikës "të shërbejë si një burim i gjithnjë i besueshëm dhe autoritar i lajmeve". Aty thuhet se lajmet e Zërit të Amerikës duhet të jenë "të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse".

Zëri i Amerikës është pjesë e Agjencisë Amerikane për Mediat Globale, e cila mbikëqyr të gjitha transmetimet amerikane jo-ushtarake për jashtë.

Gazetarët profesionistë të Zërit të Amerikës nxjerrin dhjetëra materiale çdo ditë, pa ndërhyrje nga qeveria e SHBA.