Zgjedhjet e 14 Shkurtit, si mundësi për vetë ekzistencën e Shtetit të Kosovës

Editorial

Të Dielën Kosova do të mbajë zgjedhjet e ë parakohshme parlamentare, të cilat zhvillohen më pak se 18 muaj pasi qytetarët e Kosovës votuan herën e fundit.

Zgjedhjet e parakohshme u njoftuan pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur jokushtetuese votën e përfaqësuesit Etem Arifi nga Partia Ashkali, sepse ai ishte dënuar me një burg prej 15 muajsh për mashtrim në lidhje me subvencionet, por prapë mori pjesë në zgjedhjen e qeverisë kryesuar nga Kryeministri Avdullah Hoti (LDK) më 3 qershor 2020.

Kuvendi i Kosovës ka 120 përfaqësues, me 20 mandate të rezervuara për anëtarët e komuniteteve pakicë. Në mënyrë të veçantë, komuniteti serb merr 10 mandate, ndërsa komuniteti boshnjak merr tre, turq dy, RAE (romë, ashkali dhe egjiptian) katër dhe Goran një mandat.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, 1.9 milion votues janë regjistruar për zgjedhjet e parakohshme të ardhshme. Ata janë të ndarë administrativisht në 38 komuna me 1.8 milion qytetarë. Qytetarët nga diaspora do të votojnë deri në 13 shkurt 2021. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 175,273 votues të cilët do të votojnë me postë. Në zgjedhjet e mëparshme, 35,087 votues u lejuan të votojnë me postë nga jashtë Kosovës. Një total prej 28 subjekteve politike do të marrin pjesë në zgjedhje. Konkretisht, 21 parti politike, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare.

Këto zgjedhje mbahen në Kosovë  vetëm 3 ditë para 13 vjetorit të Pavarësisë së saj, por që sot është shumë herë më keq se sa 13 vite më parë.

Zanafilla e këtij regresi është dialogu Prishtinë-Beograd, i cili doli nga  tryezat zyrtare të Bashkimit Europian dhe u vesh me teori konsipirative.

Në fillim të Gushtit të vitit 2018, në një konference të jashtëzakonshme për shtyp, Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, foli për korrigjim e kufijve si përpjekje për ti dhënë fund konfliktit shekullor me Serbinë. Por që nga kjo konference e deri sot, Kosova po vuan pasojat e saj. Teoritë konsipirative për ndarje e bashkim bënë që Kosova të mbetet në vendnumëro. Pa liberalizim vizash, pa aderim në institucione ndërkombëtare, në përplasje të vashdueshme me Tiranën zyrtare dhe së fundi, me udhëheqësit  e saj më të lartë në Gjykatën e Hages për krime lufte.

Qeveria Hoti, është qeveria e tretë që rrëzohet në vetëm 2 vite.

Para saj edhe qeveria Haradinaj dhe Kurti, përfunduan misonin e tyre, ende pa filluar. Të tre këto qeveri kanë një të përbashkët. “Dialogu me Serbinë”.

19 korrik 2019- Qeveria Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij. Lajmin për dorëheqje e bëri të ditur vet Haradinaj në një konferencë për medie pas një mbledhjeje të qeverisë. Ramush Haradinaj, tha se arsyeja e dorëheqjes është se ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit, ndonëse deri tash nuk ka njoftime nëse ndaj Haradinajt është ngritur ndonjë aktakuzë. Ai tha se javën tjetër do të paraqitet në Dhomat e Specializuara ku do të merret në pyetje nga hetuesit e Gjykatës Speciale, duke e ndërlidhur thirrjen e tij nga Gjykata Speciale si "një ҁmim që Kosova po e paguan për njohjen e saj nga Serbia”, apo "për një marrëveshje me Serbinë”.

Megjithatë me vone, Haradinaj tha se vendet mike me presion e detyruan qeverinë të jap dorëheqje.

“Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania e Italia janë aleatë të Kosovës por edhe të interesuar për marrëdhënie te mira me Serbinë e zgjidhjen e problemit, duhet ta kuptojnë që nuk ka hapësirë më as të i bëhet presion Kosovës, ata me presion e detyruan qeverinë të jap dorëheqje”, tha Haradinaj

25 Mars 2020- Qeveria Kurti

Parlamenti i Kosovës  rrëzon qeverinë e Albin Kurtit. Në mocionin e mosbesimit të thirrur nga LDK-ja, Qeveria Kurti u rrëzua me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim.

Albin Kurti dhe kabineti qeveritar i udhëhequr prej tij drejtuan Kosovën vetëm për vetem 51 ditë.

Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti u inicua nga partneri i koalicionit me Kurtin, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pas një serie përplasjesh mes dy partive. Të gjitha grupet e tjera parlamentare në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe listën Srpska votuan pro mocionit të mosbesimit e kundër qeverisë Kurti, duke e lënë të vetme Vetëvendosjen, e cila me 29 deputetë ishte partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019.

Megjithate, rrëzimi i qeverisë Kurti u përfol se u bë me “bekimin” e vetë amerikanëve, pasi Kurti kishte deklaruar disa herë që nuk do të firmoste një marrëveshje me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

“Motori për rrëzimin e qeverisë është marrëveshja e gatshme për shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo është në prapavijë, pra është pazar presidencial me e rrëzu këtë qeveri, por me mua kryeministër nuk bëhet marrëveshje. Dhe nuk ka marrëveshje as në Shtëpi të Bardhë dhe as në shtëpi të verdhë e as shtëpi të kuqe, me mua kryeministër.

Të dielen 1.9 milion votues kanë të drejtën për të zgjedhur qeverinë e tyre të re. Qytetarët e Kosovës do të votojnë jo vetem për një qeveri të re, por për vetë të ardhmen e saj. Sot Kosova si shtet është në pikëpyetje, ndaj kushdo që të votoje në zgjedhjet e 14 Shkurtit do të votoje për vete ekzistencen e Kosovës si Shtet!

/argumentum.al

© Argumentum