Zv/kryeministri i Malit të Zi uron Kosovën për ditën e Pavarësisë/ Mediat në Beograd: Uroi ‘pavarësinë’ e Republikës së rreme”

Zv/kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç uroi Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai shkruan se vlerëson marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ju dërgoj urimet e mia më të sinqerta me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe fqinjësore midis dy vendeve tona, ne po shohim përpara për bashkëpunim që do të sjellë përfitime për qytetarët e Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës”, shkruan ai ndër të tjera.

Por ky reagim i tij nuk është pritur mirë nga mediat serbe. Ato e kanë përcjellë urimin e tij si një skandal të qeverisë në Malin e Zi duke uruar pavarësinë “e rreme” të Kosovës.

Disa nga titujt në mediat serbe;

“Abazoviç përgëzoi pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë”, “Abazoviç uroi ‘pavarësinë’ e Republikës së rreme të Kosovës”, “Kjo është faleminderit për donacionet”, “Abazoviç uroi pavarësinë e njëanshme të Kosovës “, janë vetëm disa nga titujt në mediat serbe.